PARIS – Le Pen përballet me procedim penal me dyshimin për përvetësimin e fondeve të BE-së

PARIS, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Marine Le Pen dhe nacionalistë të tjerë francezë të krahut të djathtë do të përballen me procedime penale në një gjykatë të Parisit mbi akuzat se kanë marrë fonde për staf të rremë në Parlamentin Evropian.
Përveç lideres historike të partisë ”Rassemblement National” Le Pen, babai i saj dhe themeluesi i partisë Jean-Marie Le Pen është gjithashtu në mesin e 28 të pandehurve të akuzuar për përvetësim të fondeve publike.
Marine Le Pen i ka mohuar gjithmonë akuzat, të cilat kanë të bëjnë me vitet 2004 deri në 2016 dhe të cilat janë të drejtuara si kundër partisë ”Rassemblement National” ashtu edhe kundër ish-zyrtarëve dhe asistentëve të zgjedhur.
Bëhet fjalë për punësimin e mundshëm fiktive të asistentëve të disa eurodeputetëve francezë.
Akuza kryesore është se partia e Le Pen ka marrë para nga Parlamenti Evropian për asistentët parlamentarë që kanë punuar në fakt për partinë.
Rasti thuhet se përfshin një shumë prej afro 7 milionë euro (7,8 milionë dollarë).
Le Pen i ktheu Parlamentit Evropian 330 mijë euro një vit më parë.
Megjithatë, partia e saj theksoi se ky nuk ishte kompensim i një sjelljeje të keqe.
Afera e ka rënduar Le Pen dhe partinë e saj prej vitesh.
Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit mund të përballen me gjoba të rënda dhe burgim deri në 10 vjet.
Nëse dënohen, të pandehurit mund të shpallen gjithashtu të papërshtatshëm për pesë vjet, gjë që mund të frenojë kandidaturën e Le Pen në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2027-n./ /os/