STRASBURG – Kara-Murza: Rusia ka tani më shumë të burgosur politikë sesa në fund të ish-BRSS-së

STRASBURG, 30 shtator /ATSH-AFP/ – Rusia e Vladimir Putinit ka më shumë të burgosur politikë se në vitet e fundit të BRSS, tha sot disidenti i njohur Vladimir Kara-Murza para Këshillit të Evropës, dy muaj pas lirimit të tij.
I liruar më 1 gusht si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit, Vladimir Kara-Murza u shpërblye në vitin 2022 nga Këshilli i Evropës, i cili i dha atij çmimin e tij për të drejtat e njeriut “Vaclav Havel”.
I ftuar me rastin e prezantimit të çmimit 2024, që i është dhënë opozitares venezueliane Maria Corina Machado, Kara-Murza falënderoi Këshillin, i cili mbledh 46 vende, për mbështetjen e tij për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Rusi.
“Ka më shumë se 1 300 të burgosur politikë të njohur në Rusinë e Putinit, shumë më tepër se vitet e fundit në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik”, deklaroi opozitari rus, i cili kreu më shumë se dy vjet burg në vendin e tij ku u dënua me 25 vjet për “tradhti”, pasi dënoi pushtimin e Ukrainës.
“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për lirimin e tyre dhe për atë të të gjithë njerëzve të ndaluar padrejtësisht në mbarë botën”, tha ai.
“Bota e lirë e di se kriminelët e vërtetë janë ata në Kremlin që filluan luftën në Ukrainë, jo ata që janë në burg për ta kundërshtuar atë”, shtoi ai duke denoncuar “gënjeshtra e propagandës së Putinit, sipas të cilit të gjithë rusët e mbështesin regjimin dhe luftën e tij”./ a.jor.