PARIS – Macron: Mes aleatëve nuk mund ta bëjmë tjetrin të vuajë

PARIS, 22 shkurt /ATSH-AFP/ – Mes aleatëve ne nuk mund ta bëjmë tjetrin të vuajë me tarifat doganore, deklaroi sot presidenti francez, Emmanuel Macron, në ditën e parë të hapjes së Panairit Bujqësor të Parisit, ndërsa Donald Trump kërcënon të vendosë detyrime doganore për produkte të shumta evropiane.
“Unë do të flas me të për këtë sepse ne duhet ta qetësojmë të gjithë këtë”, tha presidenti francez, i cili do të takohet me homologun e tij amerikan në Uashington të hënën.
“Sektori bujqësor francez dhe ai agro-ushqimor është një sektor i madh eksporti, kështu që ne duhet ta mbrojmë atë për ta bërë edhe më konkurrues”, shtoi ai.
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka njoftuar zbatimin e detyrimeve doganore reciproke, që do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë të njëjtin nivel të taksave doganore për produktet nga një vend si niveli i aplikuar në atë vend për produktet amerikane.
Ai paralajmëroi edhe kthimin e detyrimeve doganore për çelikun dhe aluminin.
Dhe ndërsa ai tashmë ka vënë në shënjestër Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, ai ka siguruar rregullisht se edhe vendet evropiane janë të kërcënuara.
Në Francë, kultivuesit e verës janë veçanërisht të shqetësuar për kthimin e detyrimeve doganore amerikane për konjakun dhe verën, të cilat i eksportojnë masivisht në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pasi konjaku tashmë po vuan nga një mosmarrëveshje tregtare midis BE-së dhe Kinës, tregu i saj më i madh për nga vlera./ a.jor.