E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ çel fushatën në Vlorë, Dule: Të bashkuar për të drejtat e minoritetit

VLORE- PBDNJ ka çelur në qytetin e Vlorës fushatën elektorale të 23 qershorit. Minoritarë dhe simpatizantë u mblodhën në Pallatin “Labëria”. 

Kryetari i PBDNJ-së, z. Vangjel Dule u shpreh: “Fushata parazgjedhore po hyn në fazën e fundit. Ditën e zgjedhjeve përcaktojmë fatet tona, të çdo qytetari, të çdo familjeje, të mbare shoqërisë, të vendit. Prandaj, kërkohet prej të gjithëve debat politik, kërkohet dialog, jo monolog pafund. Kjo është fryma e PBDNJ-së dhe me lejoni në ketë frymë të paraqesë para jush qëndrimet tona për disa nga çështjet kryesore siç ato përfshihen në programin tonë. PBDNJ është një forcë politike konstante, që si prioritet strategjik të programit të saj, të vizionit të saj, të aktivitetit dhe aksionit politik ka integrimin evropian, integrim, një fjale që në vendin tonë nga lakimi i tepërt prej gjuhës së drunjtë politikes dhe politikaneve po humbet kuptimin. Një integrim që shndërrohet në slogan në vend që të jetë motiv, burim energjish, pikë e paluhatshme orientimi, e çdo qëndrimi, e çdo nisme, e çdo aktiviteti. Kemi qenë insistues dhe kemi një kontribut të veçante në emërtimin e koalicionit tonë “Për një Shqipëri Evropiane”. Nga ana tjetër kemi një koalicion të papunësisë, të skamjes, të dështakeve të integrimit, të atyre që për vite me radhë e mbajnë vendin tonë larg familjes evropiane, të atyre që dëshirojnë, vetëm e vetëm për interesat e tyre të ngushta ta mbajnë në distancë”. 

Gjithashtu Dule shtoi se: “Këtu në qarkun e Vlorës fitorja është e dukshme në çdo drejtim. Qytetarët dhe komunitetet i kanë që tani sytë të kthyera nga koalicioni opozitar, aty e kanë shpresën, aty e kanë pritshmërinë, aty shikojnë të ardhmen e tyre. Qytetarët presin nga ne një shtet të së drejtës, presin në radhë të parë respektimin e vullnetit të sovranit”. 

Pas takimit në Pallatin “Labëria”, kryetari i PBDNJ-së, z. Vangjel Dule u takua me banorë të fshatit Nartë të qarkut Vlorë, ku ai bashkëbisedoi rreth problemeve të minoritetit duke u shprehur se: “Duhet të jemi të bashkuar dhe të mbrojmë të drejtat e minoritetit”. 

Më tej ai foli për çështjet e pronësisë, për çështjen e pensioneve dhe rikthimin e tyre tek minoritarët e moshuar, për çështjen e mbishkrimit të toponimeve në pasaportat shqiptare të fëmijëve qe kanë lindur në Greqi dhe për çështjen e ruajtjes së votës. Në fund të takimit kryetari i PBDNJ  iu përgjigj pyetjeve të shumta të banorëve të fshatit Nartë.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Video - PBDNJ çel fushatën në Vlorë, Dule: Të bashkuar për të drejtat e minoritetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›