Korça, bukuria e qytetit dhe shëmtia e rrugëve
"Rrugët në Korçë janë copë-copë", -shprehet një nga vizitorët e qytetit, Gjergji B. "Duket që nuk është vënë dorë në të që në kohën e Enverit.
Në qendër është problem, edhe bulevardi është copë-copë. Herën e fundit kur isha, po shtrohej unaza, ndërkohë që rruga e varrezave, që shkon për në Ersekë, ishte gjithashtu copë-copë
"Nëse e shikon Shqipërinë nga ajri, Korça është qyteti më i bukur". Ishin këto fjalët e ngulitura në mendjen time ndërkohë që mora rrugën për në qytetin juglindor dhe mbërritja atje ishte e mezipritur. Madje, hera-herës më duhet ta pyesja shoferin për këtë qytet dhe përgjigjja e tij më rriste edhe më tepër padurimin. Teksa udhëtonim, në një pikë ku vërtet ishim larg nga Pogradeci, por dukej që kishim hyrë në një tjetër qytet, pyes se ku ndodheshim.
"Në Korçë", më tha personi që më shoqëronte, teksa në po të njëjtin fragment sekonde padurimi u kthye në zhgënjim, e brenda tij, një fije shprese më tha se ndoshta ishte vetëm fillimi.
Rruga në hyrje ishte e shtruar, por më pas ashtu si dhe trotuaret, ishin dëshmi të faktit se prej shumë kohëve për to nuk ishte investuar asnjë grosh.
Katedralen e njoha menjëherë. Kisha parë fotografi të ndryshme të objekteve në Korçë, të cilat më kishin bërë ta dëshiroja vizitën drejt qytetit, ndërkohë që në shkrimet e ndryshme të gazetarëve të zonës ishte folur hera-herës për problemet me investimet.
Madje, në mbledhjen më të fundit të këshillit bashkiak ishte diskutuar edhe investimi për qendrën e qytetit, që duke lënë mënjanë Katedralen, ishte vërtet një turp. Asfalti i copëzuar në një hapësirë të madhe të linte vërtet përshtypjen se prej shumë vitesh ajo ishte fshirë nga listat e shpenzimeve publike.
E megjithatë një situatë e tillë nuk ishte vetëm në qendrën e shumëpërfolur.
Në vijim të rrugës në të majtë të katedrales, teksa "ngjitesh sipër" për tek Shtëpia e Fëmijës, si dhe spitali pemët anësh rrugës janë një faktor ftues për vizitorin që kërkon të gjejë anët më të bukura të një qyteti të ri për të.
E më pas, ecja në disa trotuare gropa-gropa vijon të bëhet e bezdisshme në momentin që atë çka sheh syri dëshiron ta shënosh edhe në objektiv. Në njërën anë trotuari është si i ngrënë, e në krahun tjetër të rrugës, është thjesht dhe, ashtu siç e ka lënë vetë natyra. Ndërsa rruga vijon me një asfalt të çarë, ku duken qartë punimet e dikurshme në të dhe ku vijëzimet janë të pranishme si për të treguar rrugën "drejt".
Vizitorët
"Rrugët në Korçë janë copë-copë", shprehet një nga vizitorët e qytetit, Gjergji B. "Duket që nuk është vënë dorë në të që në kohën e Enverit. Në qendër është problem, edhe bulevardi është copë-copë. Herën e fundit kur isha, po shtrohej unaza, ndërkohë që rruga e varrezave, që shkon për në Ersekë, ishte gjithashtu copë-copë. Sa për rrugicat, as që mund të flitet. Janë tamam si në kohën e xhaxhit. E vetmja gjë që duket se ka ndryshuar është pastërtia, nuk është më si dikur".
Ndërkohë që Alketa J. thotë se qyteti nuk iu duk gjë. "Thonin që ishte shumë i bukur, por mua të paktën s'm'u duk gjë. Rrugët ishin shumë keq". Ndërsa bashkudhëtari im, që është edhe një vizitor i rregullt i qytetit juglindor thotë se Korça është shumë e bukur. "Por ka pak probleme me rrugët. Për këtë vit mund të them se në të nuk ka pasur punime. Kam parë që është punuar vetëm në rrugën në dalje, drejt Devollit, por edhe atje duket se punimet janë pezulluar".
Në faqen zyrtare të Bashkisë së qytetit të Korçës, ndër të tjera, është bërë edhe një sondazh se ku duhet të përqendrohet puna e saj për vitin 2010, të cilit i kanë mbetur tashmë edhe pesë muaj. Ndër to, infrastruktura rrugore është ajo çka është votuar më shumë nga vizitorët. Pamjet në këtë faqe, si dhe ajo çka shkruhet për turistët, është vërtet tërheqëse.
E megjithatë mund të ndodhë që në momentin që je duke i bërë një fotografi një pamjeje shumë tërheqëse të qytetit, këmba të të bjerë në një gropë e të përfundosh që në vend të saj të fotografosh trotuarin ose rrugën. "Korça ka një urbanistikë të ruajtur më së miri. Nuk është e prishur, nuk janë bërë pallate". Këto ishin fjalët e Alket Islamit. Normalisht, ai nuk po fliste për rrugët.
Rrugët dhe Këshilli Bashkiak
Debatet në Këshillin Bashkiak të Korçës kanë qenë të shumta, ndërsa projekti më i debatuar ka qenë pikërisht ai i rikonstruksionit të sheshit para Katedrales së qytetit. "Lufta" mes të majtëve dhe të djathtëve nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka lënë pa investime qendrën e qytetit në sheshin kryesor të saj, por dhe Bulevardin "Shën Gjergji", pavarësisht nevojës së tyre për ndërhyrje. Vendimi më i fundit i këshillit bashkiak ishte ai i transferimit të fondit 1 milion dollarë të programuar për këto investime në nevoja të tjera të qytetarëve korçarë. Beteja mes të majtëve dhe të djathtëve (këta të fundit kanë shumicën), edhe një herë ka ndikuar në pezullimin e dhënies së qytetit një tjetër pamje.