PD: Ramën e ka zënë sindroma e Milosheviçit. Ai duhet të pranojë humbjen dhe të vijojë jetën normale

Partia Demokratike i ka kërkuar Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe të pranojë verdiktin e popullit shqiptar. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli gjatë një konference për shtyp u shpreh se “ Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të pranojnë humbjen dhe të mos kalojnë nga trillimi në trillim dhe nga kërcënimi në kërcënim. I rikujtojmë zotit Rama – deklaroi Mëhilli - se në rajonin e Ballkanit ka patur vetëm një politikan, i cili pas çdo disfate, deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviçi dhe çdo imitim i tij është donkishotizëm”. Mëhilli tha se “Koha është e shqiptarëve e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë Europiane, më të madhin projekt në historinë e këtij vendi dhe e atyre që për arsye të ndryshme nuk votuan kartën e zotit Rama”.
Deklata e Ramës: Koha e Maskarenjve, Shqipëria e shqiptarëve
E ndërkohë vetëm pak minuta para deklaratës së Partisë Demokratike edhe Rama kishte dalë në një konferencë për shtyp, ku tha se kjo kohë është maskarenjve. Por ja që e “keqja” është se populli nuk u besoi dot të dërguarve të perëndisë si Rama dhe Veliaj. “ Procesi zgjedhor i 28 Qershorit ishte një proces pa standarde , nga ku thuhet se do të dalë një qeveri e integrimit të vendit , por në të vërtetë do të jetë një qeveri e oborreve familjare dhe klanore në kundërshti me lirinë dhe demokracinë e vendit”. Rama tha se “ marrëveshja Berisha-Meta është një aleancë kundër ndryshimit të vërtetë të Shqipërisë , kundër të vertetës së 28 qershorit , ku po mundohen çdo ditë e më shumë të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura. I siguroj si Berishën dhe Metën –deklaroi Rama se - PS është më e fortë se kurrë për të mbrojtur deri në fund votën e shqiptarëve “, duke shtuar se “ nuk kam ndërmend të lë këtë betejë përgjysmë, derisa të zbardh krimin elektoral të 28 Qershorit”.
...