E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët jashtë, ja si bëhet transferimi i studimeve

Autori i Lajmit: red.
Transferimi i studimeve

Kandidatët që duan të transferojnë studimet nga universitet e huaja drejt Universitetit të Tiranës, duhet të nisin procesin e mbledhjes së dokumentacioneve të duhura, pasi gjatë muajve korrik dhe gusht çelet dhe procedura e transferimit. Fillimisht aplikantët e interesuar duhet të dorëzojnë listën e dokumenteve të kërkuara nga UT, mbi bazën e të cilave do të realizohet edhe ekuivalentimi dhe përshtatja e titujve të studimit (por kjo listë duhet të dorëzohet në afatet e caktuara, në të kundërt nuk merret fare parasysh kërkesa e transferimit). Sipas të dhënave nga universiteti, thuhet se aplikimet për transferime gjatë vitit të ardhshëm akademik do të shoqërohen me shtesa të listës së dokumenteve, të cilat pritet të publikohen në muajin korrik të plota. Tashmë është ligjëruar me akt të posaçëm se transferimi do të bazohet në transferimin e vitit akademik dhe josemestral, ashtu siç ka ndodhur në vitet e shkuara. Kërkesat mund të paraqiten jo vetëm nga shtetasit shqiptarë që studiojnë jashtë, por dhe nga shtetas të huaj që janë të interesuar të ndjekin studimet pranë UT-së në programe të caktuara.
Afatet
Lista e plotë e dokumenteve të reja që do t i bashkëngjiten listës së përdorur në vitet e shkuara do të publikohet gjatë muajit korrik, kohë në të cilën do të iniciojë dhe dorëzimi i dosjes individuale nga çdo person i interesuar për transferimin e studimeve. Dorëzimi i dokumenteve do të pranohet pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së për një periudhë rreth dymujore, kohë brenda të cilës do të bëhet dhe verifikimi i të gjitha kërkesave të paraqitura mbi përputhshmërinë me programet studimore universitare. Rishikimi i këtyre kërkesave do të bëhet nga komisione të posaçme ad-hoc që funksionojnë pranë UT-së. Ky komision përbëhet prej anëtarësh të personelit akademik, të cilët do të bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve, në përputhje me kriteret e vendosura, si edhe njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara prej kandidatëve në programet apo vitet e studimore që kanë kryer jashtë vendit.
Dokumentet
Lista e dokumenteve që kërkohen për transferimin e studimeve nga universitetet jashtë shtetit për në atë të Tiranës për sistemin me kohë të plotë, duhet të përmbajë detyrimisht “kërkesën me shkrim e të interesuarit (së bashku me adresën), certifikatën e lëndëve të dhëna provim me notat dhe kreditet përkatëse për secilën prej tyre (origjinale), planet dhe programet mësimore të lëndëve që ka dhënë provim (origjinale), kopje e noterizuar e indeksit të notave (librezës së notave), si dhe kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme. Dokumentet e lëshuara nga universitetet e huaja duhet të jenë të nënshkruara nga titullarët e këtyre institucioneve, në të kundërt dosja do të quhet e paplotë dhe si e tillë do të skualifikohet menjëherë nga procesi i shqyrtimit. Për këtë aplikim kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë në dosje edhe mandat arkëtimin 1000 lekë (pranë filialit të bankës që do të përcaktohet). Gjithashtu dokumentet duhen të përkthehen dhe noterizohen në Shqipëri, ndryshe nuk do të jenë të vlefshme.

Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›