E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesori i lëndës së reumatologjisë dhe shefi i klinikës së Reumatologjisë në QSUT rrëfen për jetën dhe karrierën e tij profesionale

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Argjend Tafaj

-Profesor Argjendi. Si lindi pasioni për mjekësinë tek ju? A kishit pasur njeri tjetër në familje, pra “e trashëgonit” këtë profesion?
Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1977 dega Mjekësi e Përgjithshme. E kam pasur pasion Shëndetësinë qysh kur kam qenë në shkollën e mesme, ndoshta i ushqyer edhe nga prindërit, që megjithëse nuk ishin mjekë por arsimtarë, ma ushqyen këtë dëshirë që fëmijë. Ndoshta ngaqë isha karakter i butë, i dhembshur, kur shihja njerëz që vuanin, më jepte një pezmatim kjo situatë. Por ideja për t u bërë mjek, nuk më ka lindur aq herët, kam qenë në shkollën e mesme. Mjekët që njihja, i kisha pyetur për disa meraqe që kisha dhe më kishin thënë, se edhe po të kesh frikë nga gjaku, ambientohesh. E kalova edhe unë si të tjerët. Mendoja që do t u shërbeja njerëzve, por se sa i zoti do të isha, këtë nuk e dija.
-Cila ka qenë klima e kujdesit shëndetësor në vend në vitet kur studionit dhe u diplomuat ju? Cilat ishin nevojat për mjekë në atë kohë?
Ka pasur shumë nevojë. Edhe tani ka nevojë. Rritet popullata, rriten kërkesat për mjekë dhe ne ende nuk kemi përmbushur standardet e vendeve të Evropës për mjekë për numër banorësh. Aq më tepër që tani ka ndodhur një shpërndarje jo e balancuar e popullatës dhe e mjekëve dhe ka zona të pambuluara me shërbim.
-E keni menduar rrugën e mjekësisë të gjatë e të lodhshme, sikurse tani mund ta mendoni?
Jo kështu si tani. E mendoja më të lehtë, më dukej një privilegj të ishe mjek, sepse mjeku atëherë ishte shumë i respektuar jo si sot, që është shkelur me këmbë. Mjekët që njihja unë, ishin njerëz që gëzonin respekt të jashtëzakonshëm në shoqëri.
-Cilët kanë qenë idhujt tuaj në këtë profesion sipas të cilëve donit të modeloheshit?
Në moshën fëminore nuk arrij të mbaj mend mjekë. Por kur isha student, kam në kujtesë të gjallë profesor Shefqet Ndroqin, ka qenë një nga të adhuruarit e mi, doktor Kalmari që është marrë me fushën e pneumologjisë dhe tuberkulozit që ka qenë problem në vend, prof. Kërçikun, dermatolog etj. I shihja jo thjesht si mjekë por si intelektualë dhe njerëz të mëdhenj. Unë e kisha ëndërr të bëhesha sado pak si ata.
-A kemi sot mjekë shumë të mirë si ata?
Me përqindje nuk mund ta themi, por 80-90% e mjekëve janë shumë të mirë në aspektin humanitar Ndërsa në aspektin profesional nuk mund të krahasohet një mjek i viteve 60 të shekullit të shkuar me një mjek të shek. XXI sepse teknologjia ka përparuar dhe nuk mund të bësh krahasime të tilla.
-Kur ju keni nisur studimet për mjekësi, sa i madh ka qenë Fakulteti i Mjekësisë? Sa mjekë ka pasur në profilizimin ku u specializuat?
Në vitet që kam studiuar unë, kurset kanë qenë shumë të mëdha. Kanë pasur nga 300 studentë, domethënë, 300 mjekë në vit mbaronin Fakultetin për 5-6 vjet me radhë. Ishin politikat shtetërore për të nxjerrë sa më shumë mjekë që të shkonin deri në skajet më të largëta ku banonin njerëz. Për ta ngopur vendin me mjekë.
-Nëse do të bënit një krahasim, edhe si student i atëhershëm, mendoni se ka qenë më e fortë shkolla atëherë apo tani? Është një pyetje që shtrohet gjithandej, por vlen edhe për fakultetin tuaj.
Shkolla nuk mund të them që ishte më e fortë; ishte pak më serioze. Pedagogët që kam pasur unë, nuk i harroj, kanë qenë të devotshëm. Me atë pagë minimale që paguheshin, mundoheshin, jepnin me gjithë shpirt atë që kishin, për studentët. Sot raportet kanë ndryshuar. Jemi larguar paksa nga mësimdhënia. Sot në fakt nuk e gjen atë seriozitet, atë përkushtim që kanë pasur ish-pedagogët tanë.
-Pse? Mos nuk ëshë i interesuar auditori apo ka humbur shpirti i pedagogjisë?
Dualizmi i punës në Fakultetin e Mjekësisë ku pedagogu është edhe mjek, është një arsye. Por megjithatë, ka edhe anë pozitive. Ka ndryshime në teknologjinë e mësimdhënies në mënyrë të padiskutueshme. Nuk ka leksione vetëm me shkumës. Tani bëhen leksionet me projektorë, me imazhe, me video. Por ndoshta është një fenomen i përbotshëm, që të rinjtë e sotëm tërhiqen më tepër nga rrugët e lehta të jetës, nga qejfet, duan ta marrin një profesion sa më lehtë, të dalin sa më shpejt në jetë, të krijojnë komoditet në sa më pak vite. Gradualisht, Fakulteti i Mjekësisë do të bëhet i papreferueshëm, sepse kjo është tendencë botërore.
-Është vënë re rënie e interesit vitet e fundit?
Jo, ende. Mjekësia vazhdon të jetë nga degët më të kërkuara, por rënia do të vijë një ditë.
-I shihni studentët tuaj të angazhuar, të interesuar? E shihni të ardhmen e mjekësisë tek ata?
Janë djem dhe vajza të zgjuar, të përgatitur. Me këto konkurset që bëhen vitet e fundit, ka një seleksionim për studentët që futen në Fakultetin e Mjekësisë dhe shumica e tyre janë të përkushtuar për të punuar dhe për t u bërë mjekë të zotë.

Gjyshërit
“Tradhton” traditën e babait, pedagogjistit Sinan Tafaj

Doktor Argjend Tafaj erdhi nga një familje ku traditë kishin arsimin, por ai e prishi dhe u hodh nga fusha e mjekësisë. Që atëherë, mjekësia është bërë pasion familjar. Fëmijët e tij i janë futur së njëjtës rrugë. “Dëshiroj që mjekësia të trashëgohet në familjen tonë dhe e kam bërë realitet. Unë kam një vajzë që ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe specializohet për gastro-enterologji në Paris, kam një djalë në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë dhe time shoqe e kam zgjedhur po mjeke. Gruaja ime punon pediatre në amblancën nr.5 në rrugën e Kavajës”, tregon mjeku. Ndërsa rrëfen për linjën e të parëve të tij, na tërheq vëmendjen një emër: SINAN TAFAJ. Pedagogjisti i shquar me kontribut të madh në arsimin shqiptar, është pikërisht babai i doktor Argjendit. Vetë doktori duket se ndjen një kënaqësi të veçantë të flasë për të atin, për studimet e tij në psikologji dhe pedagogji në Moskë, më parë në Normalen e Elbasanit si dhe shkollën e Fulcit. Pas 3-4 vjetëve qëndrimi në Itali, ai u kthye në atdhe për të shërbyer dhe mbahet mend si profesor në Universitet. “Jeni ju më shumë krenar për babanë tuaj apo do të ishte ai më tepër krenar për ju?”, e pyesim prof. Tafajn. “Jam unë më shumë krenar. Nuk e arrij dot babën,- përgjigjet ai.- Gjithmonë e mbaj mend babën tim me libra përpara duke lexuar deri në ditët e fundit. Rojti deri në 1993. Më nxiste gjithnjë që të avancoja për ngritjen profesionale. Më thoshte: “Bir, nëse mjeku e lë çyryk njeriun nga fiziku, arsimtari e lë nga mendtë e kokës. Ai i vinte në peshore profesionet”. Për kontributin e tij për Diturinë, gjimnazit me emrin e dikurshëm “10 Korriku”, i kanë vënë emrin “Sinan Tafaj”.
Ndërkohë, linja tjetër e trashëgimisë gjyshërore nga nëna ishte drejtësia. Gjyshërit e e tij kishin qenë njerëz të fushës së ligjit; noterë, avoketër me zyra juridike në Tiranë. Ndërsa gjyshërit nga babai kishin qenë zanatçinj të mesëm. Shtëpia e tyre ishte një banesë tipike tiranase në rrugën e Dibrës, me të gjitha orenditë e saj karakteristike dhe me zejet e ushtruara. Për këtë pjesë të humbur të traditës, prof. Tafaj ndjen keqardhje kur thotë se asgjë nga këto nuk ka mbetur në banesën e tyre bashkëkohore për shkak të një nxitimi për t i hedhur ato shumë vite më parë.

Familja tiranase
Shtëpia e vogëlisë sime ka mbetur një gërmadhe prej qerpiçi
Më vjen keq që nuk i kam ruajtur orenditë e vjetra të familjes

-Meqenëse një linjë e traditave tuaja familjare ka qenë zejtaria, a keni ndonjëfarë pasioni për artizanatin, për gjërat antikuare, për reliktet dhe a mbani të tilla në shtëpi?
Kam pasur shumë dhe tani kuptoj që i kam pasion, por me problemet e strehimit që patëm, zbukurimet prej bakri që kisha në shtëpi i nxorra, ua fala disa lokaleve që nisën të ndërtohen pas viteve 90. U kam falur enë bakërishte, xhezve, gjyma, tepsia sepse nuk kisha ku t i mbaja. Nuk kam mbajtur për fat të keq asnjë kujtim të tillë. Po të kisha këtë mendim që kam tani, sot do të kisha një dhomë muze me gjëra karakteristike të shtëpisë tiranase.
-Çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj?
Është një kohë që nuk kthehet më. Kam kaluar një fëmijëri si të gjithë fëmijët shqiptarë, me të gjitha ato probleme. Nga fëmijëria ime mbaj mend që nuk jam grindur ndonjëherë me bashkëmoshatarët dhe më ka mbetur peng, se kur kam qenë i vogël, një shokun tim e kam goditur me shuplakë. Megjithëse kanë kaluar 50 vjet, e kujtoj akoma. Rrahja nuk ishte në natyrën time.
-Në cilën rrugicë keni banuar?
Nuk kam banuar në rrugicë, kam banuar në rrugën kryesore, rrugën e Dibrës pranë Selvisë ku është fisi me mbiemër Tafaj. Ka qenë shtëpi prej qerpiçi, janë ende aty, por të amortizuara.
-Si e prisni projektin për qendrën e Tiranës pa lagjet e vjetra me shtëpi karakteristike?
Jam ndër njerëzit që kam shëtitur nëpër Europë dhe e di me sa fanatizëm i ruajnë ata traditat e tyre. Natyrisht, ruajnë objektet që kanë vlera historike, kulturore. Nëse këtu në Tiranë, kishte diçka për të ruajtur, tashmë është shembur. Siç ishte Pazari i Vjetër, disa objektet kulti, kisha, xhami. Nuk ka mbetur më gjë tjetër për t u ruajtur.
-Të kap nostalgjia për këtë pjesë të qytetit mes rrugës së Dibrës, sheshit “Avni Rustemi” dhe rrugës “Tefta Tashko Koço?”
Jam nostalgjik, sepse kam kaluar fëmijërinë në atë zonë. Por jam i mendimit, që ato banesa nuk i rezistojnë kohës, modernizimit të jetës. Prandaj duhet të ruhet vetëm një lagjje a bllok me shtëpi të restauruara. Do të ishte me shumë vlerë për historinë e qytetit. Objektet që kanë qenë vërtet për t u ruajtur si shtëpia e Hutave, etj. me këtë agresivitet ndërtimesh, nuk kanë shpëtuar.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›