PD: 39% e fondit të tenderave vendorë me “flamur të kuq”

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Dorian Teliti tha sot se të dhënat për prokurimet publike vendore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një nivel shqetësues risku.
Duke iu referuar shifrave nga Open Data Albania, Teliti tha se “nga 1877 tendera të shpallur nga 61 bashki dhe ndërmarrje apo shoqëri në pronësi të tyre, 556 procedura, ose 29,6% e totalit, janë kategorizuar me të paktën një indikator risku “Red Flag””.
Teliti theksoi se tenderat e kategorizuar me indikatorë risku arrijnë në një fond limit prej 9,82 miliardë lekësh, ose 39,4% të fondit të përgjithshëm të tenderave vendorë, që ishte 24,95 miliardë lekë.
“Për nga vlera absolute, Bashkia Tiranë kryeson me rreth 1,8 miliardë lekë tendera me “Red Flag”, e ndjekur nga Kamza me 1,32 miliardë lekë, Lezha me 1,03 miliardë, Vlora me rreth 903 milionë dhe Himara me rreth 761 milionë lekë. Vetëm këto pesë bashki përqendrojnë 59,2% të fondit limit të të gjitha procedurave të kategorizuara me “Red Flag””, tha ai.
Ai theksoi se indikatorët “Red Flag” duhet të shërbejnë si sinjal për kontroll dhe verifikim të mëtejshëm.
“Partia Demokratike thekson se klasifikimi “Red Flag” është një sinjal i qartë risku, që lidhet me mungesën e konkurrencës, skualifikimin e ofertave, mënyrën e zhvillimit të procedurave, afatet dhe anulimet e përsëritura”, tha ai.
Sipas tij, një tjetër element shqetësues është rritja e ndjeshme e fondeve të prokurimit.
“Alarmi bëhet edhe më serioz për faktin se fondi i prokurimeve vendore është rritur me 79,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025: nga 13,92 miliardë lekë në 24,95 miliardë lekë. Më shumë para publike duhet të nënkuptojnë më shumë konkurrencë, më shumë transparencë dhe më shumë kontroll, dhe jo më shumë tendera me flamur të kuq”, tha Teliti.
Teliti kërkoi që institucionet përgjegjëse të verifikojnë procedurat me nivel të lartë risku, veçanërisht në bashkitë ku ato përfaqësojnë pjesën më të madhe të fondit të prokurimeve.
/m.q/j.p/r.e/