PD: “Edi Rama të harrojë se mund të impresionojë ndokënd me protesta”

Partia Demokratike u shpreh dje se Edi Rama duke mos pranuar rekomandimet e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka në plan djegien e mandateve të Partisë Socialiste. Deputeti i selisë blu, Edi Paloka deklaroi se kryesocialisti në detyrë, kërkon të përmbysë qeverinë, jo nëpërmjet votës së lirë, por sipas mentalitetit marksist, e konvertuar së fundmi në një aleancë bllokmenësh të quajtur “Edi-Taku-Nardi”. Paloka u shpreh se interesi i Edi Ramës është destabilizimi i vendit dhe djegia e mandateve të Partisë Socialiste. Në këtë pikë Paloka shtoi se Rama nuk po zbaton asnjë nga kërkesat e rezolutës së Këshillit të Evropës. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po dëshmon edhe një herë tjetër se zgjedhja dhe përcaktimi i tij është politika e rrugës dhe jo institucionet demokratike dhe shteti ligjor. Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për futjen e opozitës në parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë po bëhet përherë e më evidente se pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta kënaqë Edi Ramën. Dhe gjithmonë në funksion të kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste”, u shpreh deputeti demokrat. Paloka vuri në dukje se “fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek çunat e rinj të Bllokut”. “Por Edi Taku-Nardi, siç po e thërrasin kohët e fundit në mjediset e Partisë Socialiste, duhet ta harrojë që mund të impresionojë njeri në këtë vend me kërcënimet për protesta dhe dhunë. Shqipëria është tashmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian dhe historia e dikurshme e etërve të çunave të rinj të Bllokut është thjesht një kujtim i hidhur për të gjithë shqiptarët, që nuk do të përsëritet më kurrë”, u shpreh më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka....