E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e prishura që rregullohen për një muaj

27/02/2012  Bashkia zbardh listën e segmenteve rrugorë që do tu nënshtrohen sistemimit të menjëhershëm

Dëmtimet kanë të bëjnë me gropat e krijuara, heqjen e kapakëve të pusetave etj.

Grupe të shumta pune të Bashkisë do të zbarkojnë në rrugët e kryeqytetit për të sistemuar të gjitha rrugët e prishura, që prej vitesh janë shndërruar në makth për qytetarët. Ekspertët e Bashkisë bëjnë me dije se do të duhet vetëm një muaj kohë për të bërë rehabilitimin e rikonstruksionin e të gjitha rrugëve të prishura, duke përfshirë edhe rrugët e amortizuara të lagjeve. Tashmë janë evidentuar rrugët më problematike sa u takon dëmtimeve të infrastrukturës, që kanë të bëjnë jo vetëm me çarjet apo gropat e krijuara, me prishjen e trotuareve për këmbësorët, me heqjen e kapakëve të pusetave etj. Drejtori i përgjithshëm i planifikimit dhe menaxhimit të shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se ka përfunduar identifikimi i të gjitha segmenteve rrugore që paraqesin problem, teksa ndërhyrja do të fillojë menjëherë në ato rrugë ku amortizimi është më i madh, për të vijuar më pas në të gjitha rrugët që kanë dëmtime të llojeve të ndryshme dhe krijojnë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. “Puna do të fillojë në rrugët kryesore dhe atje ku problematika është më e madhe. Kjo nuk ka të bëjë me investimet që janë parashikuar në buxhetin e vitit 2012 të Bashkisë së Tiranës, projektet e të cilave janë në finalizim e sipër dhe zbatimi i tyre do të fillojë nga fundi i prillit ose në fillim të maji”, - ka pohuar Zeneli. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën e plotë të rrugëve ku do të bëhen punimet gjatë kësaj kohe.

Ndërhyrja

Sipas Zenelit, deri tani ndërhyrja ka qenë e pamundur për shkak të kushteve jo të përshtatshme atmosferike, por përmirësimi i tyre do të mundësojë ndërhyrjen për rehabilitimin e tyre. Konkretisht bëhet fjalë për mbi 50 segmente rrugore në kryeqytet, të cilat do të rehabilitohen brenda një muaji. Një tjetër problem shqetësues mbetet dhe vjedhja e kapakëve të pusetave, mungesa e të cilëve shpeshherë bëhet shkak për aksidente të ndryshme, që nuk kanë qenë të pakta. Kundrejt kësaj problematike, e cila cenon jetën tonë të përditshme dhe bëhet shkak për aksidente, Zeneli u ka kërkuar qytetarëve që të njoftojnë kur konstatojnë mungesën e këtyre kapakëve, si dhe të denoncojnë kur konstatojnë persona të cilët i marrin ato. “Bashkia e Tiranës ka përfunduar inspektimin dhe vlerësimin për të gjitha problematikat që ka infrastruktura rrugore në gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Për këtë arsye nga stafi i Bashkisë është bërë një plan veprimi për të siguruar rehabilitimin dhe mirëmbajtjen për një periudhë njëmujore. Kjo ndodh pikërisht tani për shkak të kushteve atmosferike të motit, të cilat aktualisht na sigurojnë që të bëhet në cilësi dhe në kohë. Gjithashtu dua të theksoj një problem që është hasur gjatë kësaj periudhë, të humbjes së kapakëve të pusetave, që përbën shqetësim për transportin, për mjetet motorike apo dhe për këmbësorët, që çojnë në aksidente. Duam t’u bëjmë një apel qytetarëve të njoftojnë kur ata mungojnë. Ju sigurojmë që brenda një muaji kjo situatë aktuale që është në rrugët e Tiranës do të përmirësohet në një cilësi shumë të mirë”, - ka deklaruar Zeneli. Nga dëmtimet nuk kanë shpëtuar edhe rrugët që u janë nënshtruar rikonstruksioneve të mëparshme, duke shkuar dëm kështu shumë prej fondeve të shpenzuara. Megjithatë, për këtë pjesë është menduar që të bëhen kontrolle për të mos lejuar subjekte të ndryshme që të ndërhyjnë në prishjen e tyre, për të cilat do të penalizohen.

Lista e rrugëve ku do të ndërhyhet menjëherë

1. Rruga “Konferenca e Pezës” (te fabrika e birrës dhe kthesa e Yzberishtit)

2. Rruga “Llazi Miho” (mungojnë kapakë pusetash shiu)

3. Rruga e Kavajës (te Kisha Ortodokse)

4. Rruga “Isuf Elezi” dhe “Frank Bardhi” (te Kristali)

5. Rruga “Ibrahim Rugova” (tek ura e “Tajvanit”)

6. Rruga “Ndre Mjeda”

7. Rruga “Ibraim Pashë Bushatlliu” (vazhdimi i “Don Boskos”)

8. Rruga “Naim Frashëri”

9. Rruga “Pjetër Bogdani”

10. Rruga “Nikolla Tupe”

11. Rruga “Brigada 8”

12. Rruga “Perlat Rexhepi”

13. Rruga “Adem Jashari”

14. Rruga “Taxhedin Baholli”

15. Rruga “Ali Kelmendi” (mungojnë kapakë pusetash shiu)

16. Rruga “Bedri Karapici”

17. Rruga e Qelqit

18. Rruga “Hamdi Pepo”

19. Rruga “Zyber Zeneli”

20. Rruga “Hysni Gerbolli”

21. Rruga “Vëllezërit Manastirliu”

22. Rruga “Shyqeri Berxolli”

23. Rruga “Hajdar Hidi”

24. Rruga “Mihal Duri”

25. Rruga “Gjon Muzaka”

26. Rruga “Him Kolli”

27. Rruga “Mujo Ulqinaku”

28. Rruga “Islam Alla”

29. Rruga “Bogdani”

30. Selitë, rrugë të dëmtuara

31. Stacioni i autobusit te Libri Universitar

32. Rruga “Beqir Rusi” (prapa shkollës “Emin Duraku”)

33. Rruga “Donika Kastrioti”

34. Sheshi te stadiumi “Selman Stermasi”

35. Rruga “Gjin Bue Shpata”

36. Rruga “Tish Daija”

37. Rruga “Milto Tutulani”

38. Rruga “Lidhja e Prizrenit”

39. Rruga “Frosina Plaku”

40. Rruga “Aroanitët” (mbrapa cirkut)

41. Rruga “Sulejman Pasha” (mbrapa cirkut)

42. Rruga “Hamdi Cenojmeri”, gropa anash

43. Rruga “Petraq Leka” (mungojnë kapakë pusetash shiu)

44. Sheshi “Italia”

Objektet që nuk janë rehabilituar pas dhënies së lejeve për çarje rruge

1. Rruga “Ylbere Bylykbashi”, njësia nr. 7

2. Rruga “Irfan Tomini”, njësia nr. 5

3. Rruga “Sulejman Delvina”, njësia nr. 5

4. Rruga “Reshit Çollaku”, njësia nr. 10

5. Rruga “Pandi Dardha”, njësia nr. 11

6. Rruga “Lord Bajron”, njësia nr. 11

7. Rruga “Ali Pashë Gucia”, njësia nr. 8

8. Rruga “Haxhi Hysen Dalliu”, njësia nr. 9

9. Rruga “Princ Vidi”, njësia nr. 11

10. Rruga “Myslym Shyri”, njësia nr. 7 dhe nr. 10

11. Rruga “Zenel Baboçi”, njësia nr. 9

12. Rruga “Dëshmorët e Fekenit”, njësia nr. 7

13. Rruga “Frosina Plaku”, njësia nr. 7

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›