E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, Basha-qeverisë së re: Kush tërhiqet nga premtimet, përballet me pasojat

TIRANE- Pak orë para konstituimit të Kuvendit të ri të Shqipërisë, kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi, në selinë e re, grupin parlamentar të demokratëve. Në fjalën e tij përpara deputetëve, Basha shprehu bindjen se opozita demokrate do të jetë më efikasja që ka njohur vendi. Lideri i ri i demokratëve garantoi se “opozita e sotme nuk do të jetë ajo e baltës, shpifjeve, bllokimit dhe dhunës verbale, por një opozitë e fortë e fakteve. Do jemi në parlament zëri i drejtë i shqiptarëve.”

Basha premtoi se grupi do të angazhohet të monitorojë çdo ditë përmbushjen e premtimeve të mazhorancës së re.
“Nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për përmbushjen e premtimeve që u kanë dhënë qytetarëve, nuk do të lejojmë më gënjeshtra e mashtrime elektorale për vota. Kush tërhiqet nga premtimet duhet të përballet me pasojat.”- theksoi ai.

EDI PALOKA ZGJIDHET KRYETAR I KOMANDUAR I GRUPIT
Deputeti i qarkut të Tiranës, Edi Paloka, është komanduar nga kryetari Basha si kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve. Forma e zgjedhjes së tij është komandimi, për shkak se sipas statutit të Partisë Demokratike kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me votim të fshehtë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Ky forum do të mblidhet vetëm pas zgjedhjeve të reja që do të bëhen në parti, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, kur të mblidhet edhe Kuvendi kombëtar. Emërimi i Palokës si kryetar i Grupit Parlamentar vjen pasi ai në katër vitet e kaluara mbajti pozicionin e nënkryetarit të Grupit, të cilin e drejtoi Astrit Patozi. Ndërkohë Jorida Tabaku është zgjedhur zëdhënëse e grupit kuvendor të PD-së.

Sipas statutit të PD-së (neni 49), grupi parlamentar demokrat përfaqëson në parlament PD-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të këaj force politike. Ai po ashtu, harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në parlament dhe në zonat elektorale përkatëse; vendos për ndarjen e anëtarëve të tij në komisionet parlamentare; harton rregulloren e funksionimit të grupit parlamentar dhe i propozon Këshillit Kombëtar për çështje që janë kompetencë e këtij të fundit. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›