E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, Bogdani: Numërimi po ecën në favorin tonë, do jemi fituesit

TIRANE - Partia Demokratike shpreh besimin se në përfundim të numërimit të votave, të djathtët do të jenë fituesit e këtyre zgjedhjeve. Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, Gerd Bogdani, tha se procesi i numërimit të votave po ecën në favor të koalicionit të djathtë.

Duke iu referuar deklaratës së kryetarit Rama, i cili shpalli fitoren e të majtëve, Bogdani tha: “Nuk duhet të harrojmë që në këtë kohë në vitin 2009 Edi Rama proklamonte fitoren, por në fakt ai humbi. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, që në këtë kohë, në vitin 2011 Edi Rama proklamonte përsëri fitoren, por përsëri mbeti në opozitë”.

Bogdani falënderoi të gjithë komisionerët për punën e tyre, si dhe vëzhguesit për monitorimin e procesit, duke i inkurajuar për përmbylljen e procesit me saktësi.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të vazhdojnë një proces të qetë dhe të rregullt të numërimit të votave dhe të mos bllokojnë procesin. E përsërisim, asnjë forcë politike nuk duhet të bllokojë procesin, sepse qytetarët duhet të shohin të gjitha votat e tyre të numëruara, sa me shpejt dhe saktë!”,- përfundoi Bogdani.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›