PD: Deklaratat e Xhafës, farsë - PS s’ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi i mëparshëm

Mazhoranca shprehet e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor gjatë muajit gusht, por mjafton që PS dhe opozita në tërësi t’i përmbahen rekomandimeve të ndërkombëtarëve, për transparencën e zgjedhjeve të 2009-ës
Partia Demokratike ka deklaruar sot se është e gatshme që të thërrasë në një mbledhje emergjente, Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor, kërkesë kjo e socialistëve, por mjafton që këta të fundit, të respektojnë rezolutën e Parlamentit Evropian. Deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Viktor Gumi, u shpreh se sot gjatë një konference për shtyp se deputeti socialist Fatmir Xhafa, nuk përcolli asgjë nga qëndrimi i mëparshëm i opozitës, për të mos hequr dorë nga prirjet antiligjore. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë propozimet e tij, në të cilat rikonfirmon në përgjithësi pozicionet e saj të mëparshme. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike konsideron se, në respekt të Kushtetutës, kodit zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj”- u shpreh Gumi. Ai vuri në dukje se deklaratat partiake të opozitës janë të paefektshme, porsa kohë ka një qëndrim zyrtar të ndërkombëtarëve, lidhur me çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 2009-ës. “çdo interpretim partiak është i padobishëm. Në zbatim të kërkesave të Rezolutës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është i gatshëm që në çdo kohë të thërrasë Kuvendin”- deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi.
Fatmir Xhafa Deputeti socialist Fatmir Xhafa, komentoi sot negociatat mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, për gjetjen e një kompromisi, porsa i takon zgjidhjes së ngërçit politik. Sipas socialistëve, gjithçka në lidhje me opozitën është gati dhe se pritet një përgjigje e PD-së. “Të dy të mandatuarit e forcave respektive politike, kanë biseduar dhe kanë arritur në një nivel të caktuar duke pranuar një sërë elementësh të rëndësishëm për ngritjen e komisionit hetimor dhe mënyrën se si do të funksionojë ky komision. Gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkrete, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete. Se cilat janë ato, në ç’mënyrë janë dhe se si do të reagojë përfaqësuesi i PD, kjo nuk më takon mua ta them. Ne jemi gati që nëse edhe sot kërkohet ta mbledhë Parlamentin, për këtë duhet parlamenti të zgjidhë krizën, ne jemi gati ta votojmë, të fillojë punën komisioni hetimor dhe në kushtet e këtij sezoni të nxehte vere”- u shpreh socialisti Fatmir Xhafa. Ligjvënësi opozitar, nuk komenton qëndrimin e partisë së tij dhe as nuk prek për asnjë moment rekomandimet e rezolutës së Parlamentit Evropian. Kësisoj, socialistët përveç komenteve mediatike, janë të pafuqishëm për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, çka do të sillte kapërcimin e ngërçit politik dhe nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe PD-PS, për hetimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
...