Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi” i komunës Margegaj të Tropojës

Mesazhi i ministrit: Shumë shpejt Shqipëria do jetë një vend si gjithë Evropa
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Margegaj të Tropojës me motivacionin “Për kontribut të spikatur si nismëtar në vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri”. Gjatë ceremonisë së dhënies së titullit, ministri Imami, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij dhe drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrotjes dhe Forcave të Armatosura, vlerësoi në mënyrë të veçantë banorët e zonës, për nderimin dhe respektin ndaj tij. Ai u ndal tek dy nga proceset me jetike për Shqipërinë; anëtarësimi në NATO dhe çështja e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian, ëndrra këto të kahershme të shqiptarëve, theksoi ministri. “Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe së shpejti do kemi viza për në BE. Do bëhemi ashtu siç donin shqiptarët e viteve ‘90 një vend si gjithë Europa”- u shpreh ministri i Mbrojtjes. Në përfundim të vizitës së tij në Tropojë, ministri Imami vizitoi dhe shtëpinë e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari, ku gjatë bashkëbisedimit me familjarët e të ndjerit, ai shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihmën e tij, duke kontribuar në ngritjen e një busti në qendër të qytetit të Bajram Currit, vendlindjes së Azem Hajdarit.
...