PD: Duke bllokuar heqjen e imunitetit, Edi Rama po u heq kafshatën e bukës shqiptarëve
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, deklaroi në një konferencë për shtyp se Rama do të bllokojë aktin historik të heqjes së imunitetit.
Me këtë qëndrim z. Rama deklaron se muri i imunitetit që është dhe muri i korrupsionit, mburoja e zezë ligjore që një klub miliarderësh të Partisë Socialiste dhe zyrtarët e tjerë përdorin për të grabitur çdo ditë pasuritë e qytetarëve shqiptarë pa iu hyrë ferra në këmbë, do të mbrohet prej tij.
Me këtë qëndrim z. Rama iu thotë qytetarëve të papunë se për atë dhe partinë e tij nuk ka asnjë rëndësi shembja e murit të korrupsionit që shkatërron çdo ditë vende pune dhe pengon krijimin e vendeve të reja, por rëndësi ka pasurimi i paligjshëm, me pallate pa leje në bashkitë e tij, larja e parave të trafiqeve kriminale, fshehjes së taksave dhe kontrabanda në dogana nga klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste të cilët janë gati të dorëzojnë çdo gjë tjetër por Jo imunitetin që e kanë cituar e blerë me miliona euro, tha Bardhi.
Zëdhënësja e PD tha se Rama ka mbetur pa argument në refuzimin e heqjes së imunitetit.
Duke bllokuar heqjen e imunitetit dhe rrëzimin e murit të korrupsionit z.Rama iu thotë qytetarëve të varfër shqiptarë se edhe pse korrupsioni ju bën ju edhe më të varfër dhe ju zhyt gjithnjë e më thellë në mjerim, imuniteti i miliardereve të Kryesisë së Partisë Sociliste nuk mundë ti përkasë sepse për të rëndësi kryesore ka arka e tyre dhe e Partisë Socialiste që duhet të fryhet çdo ditë dhe më shumë dhe jo kafshata e bukës e fëmijëve tuaj.
Me bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të rrëzimit të murit të korrupsionit, z.Rama ju thotë troç 560 mijë pensionistëve dhe mbi 100 mijë familjeve në ndihmë ekonomike se për atë dhe partinë e tij, rëndësi kapitale ka mbrojtja me imunitet i miliarderëve të Kryesisë së partisë së tij dhe jo rritja më e madhe e ndihmës së tyre ekonomike apo pensioneve të tyre të ulëta apo shtimi i ilaçeve të nevojshme për shëndetin e tyre në listën e rimbursimit, tha zëdhënësja e PD.
Bardhi tha se Rama mashtron kur thotë se PS nuk e ka pranuar datën gjashtë gusht për të votuar heqjen e imunitetit.
Data 6 gusht është një detyrim që stimulohet në nenin 77/a/b të rregullores së parlamentit për ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga Gupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe miratuar në Parlament në vitin 2008.
Zoti Rama dezinformon kur thotë se data 6 gusht është caktuar në kundërshtim me opozitën. Partia Demokratike informon shqiptarët se më datë 12 korrik është miratuar pa asnjë kundërshtim nga deputetët e Partisë Socialiste që amandamentet kushtetuese për heqjen e imunitetit të votohen siç përcakton rregullorja më datë 6 gusht, tha Bardhi.
Partia Demokratike i bën thirrje dhe një herë z.Rama të ngrihet mbi interesat personale të klubit të milarderëve në krye të partisë së tij dhe të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë me datë 6 husht në interesin më jetik të të gjithë qytetarëve shqiptarë, heqjen apo kufizimin e imunitetit dhe rrëzimin e murit të nxirë të korrupsionit.