E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Berishën do e nxjerrim në pension, Rama edhe katër vjet në opozitë

Kryetari i Aleancës KuqeZi reagoi nga Korça në lidhje me deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes në të njëjtin koalicion të AK me FRD dhe PS.

Kreshnik Spahiu deklaroi se deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton çdo ditë Aleanca KuqeZi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD dhe as PS.

Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njeri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca KuqeZi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme.

Më tej Kreshnik Spahiu deklaroi se lufta politike dhe gara elektorale në zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2013 do të sjellë fitoren e kuqezinjve duke nxjerrë Sali Berishën në pension dhe duke lënë në opozitë Edi Ramën për katër vite të tjera.

Deklarata e Kreshnik Spahiut u dha në qytetin e Korçës, krahinën e Gorës gjatë ceremonisë së festimeve në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›