E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Edi Rama e ktheu Tiranën në qytet betoni

Lidhur me dokumentet e publikuara nga deputetja Albana Vokshi që shpalosin korrupsionin e kryebashkiakut Edi Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke u bërë edhe vetë Rama aksioner me 20 përqind interes, ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike për kryeqytetin, Gert Bogdani.

Deputeti Bogdani duke iu referuar fakteve të publikuara deklaroi se tashmë kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dalë zbuluar dhe fund e krye i përfshirë nga korrupsioni, pikërisht nëpërmjet sekserit të tij, zotit Lepuri, i cili sipas Bogdanit futet aksioner me hir apo me pahir në kompaninë e Vizion Construction me një shumë prej 20 %, apo 100 milionë euro.

"Bëhet fjalë pikërisht për zonën në kodrat e Liqenit, ku në planin rregullues të zotit Rama në këtë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate. Pra, e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në qytetin e Tiranës shndërrohet në një hapësirë të betonizuar", theksoi deputeti demokrat në një dalje publike për mediat.

Sipas deputetit Bogdani e gjithë kjo tregon dhe fakton se "zoti Rama jo vetëm që nuk ka vizion për qytetin e Tiranës, por shikimi i tij është errësuar nga paratë që merr nga lejet e ndërtimit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›