E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kemi ndërtuar 10 400 km rrugë në të gjithë Shqipërinë

TIRANË- "Partia Demokratike ka ndërtuar 10 400 km rrugë në gjithë Shqipërinë, ka ndërtuar rrugën Levan-Tepelenë, e Vlorë-Levan, që e shkurtojnë sot kohën e udhëtimit nga Tirana në Vlorë me më shumë se një orë", tha te dielën pasdite në një deklaratë për shtyp zedhenesja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.

Duke reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit të Partisë Socialsite, Edi Rama, sot në Vlorë, ajo theksoi se "në qarkun e Vlorës Partia Demokratike ka ndërtuar dhe rindërtuar qindra e qindra km rrugë. PD ju thotë shqiptarëve se Edi Rama nga autobusi i tij mavi vjell "vrer" çdo ditë, nxin dhe mbjell pesimizëm".

"Kreu socialist e konsideron të gënjeshtërt Shqipërinë reale. Ai pa u skuqur deklaroi sot për rrugët se nuk ekzistojnë, ndërkohë që sot çdo vlonjat e çdo shqiptar udhëton nga ura e Mifolit në Konispol, në rrugë moderne të ndërtuara dhe të rindërtuara. Partia Demokratike do të bëjë edhe më shumë për Vlorën, duke ndërtuar Bypass-in dhe shumë rrugë rajonale, e rurale, sepse për PD-në të gjithë qytetarët meritojnë të shërbehen kudo ku ata jetojnë", theksohet në deklaratë.

"Më i çoroditur se çdo ditë, theksoi zedhenesja Vorpsi, Edi Rama tha sot se Vlora ka mbetur me rrugën e Austro-Hungarisë! Mund t’ia hedhësh po ta bësh këtë deklaratë në një planet tjetër, ku askush nuk ka informacion, ose në autobusin mavi, xhamat e zinj të të cilit nxijnë cdo gjë të Shqipërisë reale. Por, ta bësh këtë deklaratë në Vlorë, para gjithë vlonjatëve e shqiptarëve, të cilët ecin në rrugët e ndërtuara nga Partia Demokratike, të cilët shpenzojnë më pak kohë dhe para me udhëtimin sot, është përtej çdo imagjinate mavi", përfundoi deklarata e zedheneses se PD-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›