E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kosova të aplikojë për anëtarësim në OKI

Drejtues të Partisë së Drejtësisë (PD) kanë përshëndetur rezolutën e miratuar në mbledhjen e Organizatës së Konferencës Islamike në Taxhikistan mbi situatën në Kosovë dhe thanë se kjo paraqet evoluim pozitiv të qëndrimeve politike të shteteve anëtare të kësaj organizate në drejtim të njohjes së pavarësisë së shtetësisë së Kosovës.

Në një konferencë për media të dielën, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie
Abdullah Klinaku në emër të Partisë së Drejtësisë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të aplikojë për anëtarësimin e vendit me status vëzhguesi në Organizatën Konferenca Islamike.

“Me qëllim të shpejtimit të këtij procesi shumë të rëndësishëm Partia e Drejtësisë kërkon nga Qeveria e Kosovës, që në bashkëpunim Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, anëtare fuqiplotë e kësaj organizate, të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë me rëndësi të madhe ndërkombëtare, fillimisht në statusin e vëzhguesit deri në anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Klinaku, transmeton Kosovapress.

Partia e Drejtësisë njëherësh ka mirëpritur pjesëmarrjen dhe paraqitjen e presidentit Fatmir Sejdiu në Forumin Botëror Ekonomik Islamik të mbajtur në Kuala Lumpur të Malajzisë, si dhe vizitën e kryeministrit Hashim Thaçi në Republikën e Turqisë, si veprime politike që mund të gjenerojnë investime të nevojshme ekonomike nga vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.

Klinaku ka shprehur qëndrimin e Partisë së Drejtësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ndryshimin e ligjit mbi zgjedhjet, duke thënë se kodi aktual zgjedhor ka shumë mangësi të cilat janë reflektuar gjatë dy palë zgjedhjeve të kaluara, në vitin 2007 dhe 2009.

“Partia e Drejtësisë ri-kërkon nga presidenti i vendit fillimin e përgatitjeve substanciale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që duhet të mbahen sa më shpejt brenda afateve të përcaktuara kushtetuese. Në këtë drejtim PD kërkon që paraprakisht të përfundohen procedurat gjyqësore ndaj bartësve të manipulimeve zgjedhore në zgjedhjet 2007 dhe 2009, si edhe nxjerrjen urgjente të Ligjit të ri zgjedhor që në mes të tjerave do të përcaktoje edhe uljen e pragut zgjedhor në 3 për qind”, ka thënë Klinaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›