E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Mediat mashtruan për Gërdecin

PD-ja është përpjekur dje që të mbulojë të vërtetën e shkrimit të botuar në "New York Times" mbi ngjarjen e Gërdecit, duke akuzuar disa nga mediat e shkruara si antiqeveritare. Selia blu e ka cilësuar shkrimin e "New York Times" si një krijim të përbashkët të katër mediave të shkruara, kur në të vërtetë ai ka qenë vetëm një pasqyrim i asaj çka është botuar në të përditshmen prestigjioze. Në një deklaratë për shtyp të PD-së citohet se "disa gazeta hapin faqen e parë me të njëjtin titull të shpikur: Gërdeci, ilustrim i tmerrshëm i korrupsionit të Qeverisë, i cili nuk ekziston në asnjë rresht në gazetën ‘New York Times‘". Sipas kësaj deklarate "spekulimi, falsifikimi ndaj ‘New York Times‘ dhe shpifja me tituj që nuk ekzistojnë është çështje e tyre, dhe jam këtu vetëm për të përgëzuar novitetin e këtyre gazetave". PD-ja e cilëson si novitet të vërtetën që pasqyrohet në faqet e gazetës më prestigjioze të botës, e cila është botuar edhe në disa të përditshme shqiptare. "Për ne nuk ka rëndësi një shpifje më shumë apo më pak e tyrja, por rëndësi dhe vlerë paraqet, mendoj, redaksia e përbashkët që kanë krijuar këto gazeta, për të shkurtuar shpenzimet e tyre", thuhet në komunikatën për shtyp të PD-së. Në këtë mënyrë, selia e partisë më të madhe, në vend që të merret me përçarjen që ka kapluar strukturën e PD-së për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, apo për zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit, por merret me sulme ndaj medias, për artikuj që në të vërtetë janë botuar më parë në gazetën më prestigjioze në botë, "New York Times".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›