E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi letër Bush: Shqipëria, në gjirin e Aleancës, një partnere e denjë për sigurinë rajonale

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u ka dërguar dje mesazhe falenderuese vendeve anëtare të NATO-s, të cilat më 3 prill 2008 në Samitin e Bukureshtit e ftuan Shqipërinë që të bëhet anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, bënë të ditur të hënën, burime nga Zyra e  Shtypit e Presidentit. Në mesazhet e Presidentit Topi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer dhe Kryetarëve të Shteteve anëtare, Mbretërisë së Belgjikës, Bullgarisë, Kanadasë, Republikës së Çekisë, Mbretërisë së Danimarkës, Estonisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Islandës, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Luksenburgut, Mbretërisë së Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Spanjës, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, shprehet mirënjohja në emër të të gjithë popullit shqiptar për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë Shqipërisë në drejtim të përmbushjes me sukses të aspiratës së saj për t’u bërë anëtare e NATO-s. “Aleanca ka investuar për një kohë të gjatë në stabilitetin e rajonit tonë dhe ky vendim i saj, përbën jo vetëm një vlerësim ndaj angazhimit të deritanishëm, të gjithanshëm, serioz dhe shumëplanësh të Shqipërisë, por njëkohësisht, edhe një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale, të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar, si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë global”, - thuhet në mesazhin që Presidenti Topi i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Shefer.  Ndërsa në mesazhin drejtuar Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush, kryetari i shtetit vlerëson “kontributin konkret e thelbësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut dhe aleatit tonë të fuqishëm, në këtë proces, të cilët besuan se Shqipëria, në gjirin e Aleancës, mund të jetë jo vetëm një vend mik, por edhe një partnere e denjë për të dhënë kontributin e saj në hapësirën e re të lirisë, demokracisë e sigurisë rajonale e globale! Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida dhe shpreh besimin se do t’i përballojmë ato edhe sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e mikut dhe aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - përfundon mesazhi i Presidentit Topi drejtuar Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush. Në mesazhet drejtuar kryetarëve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidenti i Republikës shpreh besimin për vazhdimësinë e mbështetjes së këtyre vendeve ndaj Shqipërisë edhe në sfidat e tjera të së ardhmes. “Ky vendim historik për ne, rikonfirmoi fort përkrahjen dhe dëshirën e vendeve të NATO-s për të konsideruar Shqipërinë jo vetëm vend aleat, por edhe partner në përballjet e përbashkëta ndaj sfidave globale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›