E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, vazhdojnë protestat e banorëve për dëmshpërblimin

Banorët e Gërdecit kanë vijuar edhe dje protestat e tyre ndaj qeverisë, në kërkim të dëmshpërblimit të premtuar për tragjedinë e 15 marsit. Në ndryshim nga ditët e tjera, ish-punonjësit e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake dhe banorët e prekur nga shpërthimi, nuk janë mbledhur më te krateri i krijuar nga shpërthimi, por në qytetin e Vorës. Burime pranë protestuesve thanë se ata ishin ndaluar që të zhvillonin protestën e tyre të radhës pranë kraterit, ashtu si në ditët e mëparshme, dhe për këtë arsye ata janë detyruar që të zbresin në qytetin e Vorës. Kërkesat nuk kanë pasur asnjë ndryshim nga ato që janë paraqitur pak ditë më parë, kur banorët e zonës vendosën të përdorin protestat për të kërkuar të drejtën e tyre. Ata kanë këmbëngulur që të shpërblehen nga shteti për dëmet që u janë shkaktuar si në humbjen e familjarëve të tyre, në banesat e tyre të rrafshuara, apo edhe problemet e tjera që ka shkaktuar shpërthimi i fuqishëm i fabrikës së municioneve.

Punëtorët dhe banorët protestues kanë akuzuar Berishën si përgjegjësin e tragjedisë së 15 marsit dhe kanë kërkuar dëmshpërblimin e premtuar, që deri tani, sipas tyre, rezulton mashtrim i qeverisë. Ata kanë deklaruar se qeveria ka detyrimin ligjor që të japë shpjegime përveç të tjerave, edhe për sigurinë në punë. "Përpara se të fillonim punë në atë fabrikë, morëm garanci se ishte gjithçka e sigurtë, por në fund na doli se gjithçka ishte gënjeshtër dhe njerëzit tanë humbën jetën aty, ndërsa ne pamë tmerr me sy", tha njëri prej organizatorëve të protestës.

Pjesëmarrësit në protestë shprehën irritimin e tyre për atë që ata e quajtën zvarritje dhe premtime të pambajtura nga krerët më të lartë të shtetit. Ata bënë të ditur se takimet me Presidentin Bamir Topi dhe kreun e qeverisë Sali Berisha nuk kishin zgjidhur asgjë. Megjithëse drejtuesit u kishin thënë fjalë të mira, ata nuk kishin bërë asgjë për të plotësuar kërkesat e ish-punonjësve të fabrikës dhe banorëve të zonës. Në këto kushte, protestuesit u shprehën të vendosur për ta vazhduar çdo ditë protestën dhe madje edhe për ta përshkallëzuar atë më tej. Ish-punonjësit e fabrikës së demontimit të municioneve të firmës "Albademil" dhe banorë të zonës së Gërdecit, kanë kërcënuar se në rast se nuk marrin një përgjigje pozitive nga ana e qeverisë për dëmshpërblimin e tyre, ata do të hyjnë në grevë urie. Ndonëse pa specifikuar hollësi rreth kësaj ideje, ata deklaruan se do ta zhvillojnë grevën e urisë në kraterin e shpërthimit, aty ku humbën jetën të afërmit dhe miqtë e tyre.

Një muaj më parë, më 15 mars, shpërthimi i fuqishëm i fabrikës së demontimit të municioneve të firmës "Albademil", në fshatin Gërdec, shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Nga shpërthimi u shkatërruan plotësisht ndërtesa në tri lagje të këtij fshati, duke lënë të pastrehë një numër të madh banorësh, të cilët tashmë janë hedhur në protesta për të kërkuar dëmshpërblim nga qeveria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›