E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët: Berisha të paraqesë raport të shkruar për Gërdecin

Partia Socialiste nuk i ka kursyer as dje akuzat ndaj Kryeministrit Berisha për tragjedinë e ndodhur gati një muaj më parë në Gërdec. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka deklaruar se deri më tani nuk po bëhet asgjë për të dënuar njerëzit e korruptuar që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit. Sipas Braçes, për këtë krim shtetëror kanë paguar disa qindra familje shqiptare, madje shumë shtrenjtë, me jetë njerëzish e vlera të konsiderueshme pronash. Ai citoi se "asnjë qeveritar, duke nisur që nga Sali Berisha dhe familja e tij politike apo biologjike, edhe pse janë autorët e këtij krimi shtetëror, nuk kanë paguar për këtë krim. Për ta shteti nuk ka ngritur asnjë akuzë deri tani". Sipas tij, Sali Berisha, edhe pse është ftuar ta bëjë, nuk ka dënuar asnjëherë, asnjë orë, asnjë minutë në këto pesë javë korrupsionin që vuri në lëvizje krimin shtetëror në Gërdec. Nënkryetari e ka krahasuar qeverinë e Berishës si partnere të një biznesi kriminal që në çastin që filloi të liberalizonte tregtinë për çmontimin e municioneve, që kur nxori ligjin që legalizonte, liberalizonte eksportin dhe rieksportin e municioneve, dhe që kur nuk bëri asgjë për ngritjen e autoritetit shtetëror të kontrollit të municioneve. Ai u shpreh se "për të tretën herë, në vetëm 4 javë, jemi në vitrinën e botës, ‘New York Times‘", si vend me një qeveri thelbësisht të korruptuar, Kryeministër po aq të korruptuar në marrëdhënie shumë të fortë me korrupsionin". Nënkryetari Braçe e ka quajtur Kryeministrin Berisha si njeriun më të afërt me krimin, korrupsionin, si Kryeministrin e parë, por edhe shtetarin e parë, më të lartë, që përmes marrëdhënies së tij me korrupsionin po rrënon punën, qëllimin e saj, duke e shndërruar me elementin korruptiv që të merr jetën. Më tej ai shtoi se "Sali Berisha është sot Kryeministri me bilancin më të turpshëm, më tragjik për sa i përket korrupsionit. Marrëdhënia e tij me korrupsionin vlerësohet vetëm me një rast, me 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe afro 100 milionë euro dëme në prona. Këto shifra do ta ndjekin çdo ditë të jetës politike dhe biologjike". Pas kësaj deklarate, Erjon Braçe, në emër të Partisë Socialiste kërkon që Kryeministri Sali Berisha të paraqesë një raport me shkrim në Kuvend për krimin shtetëror në Gërdec dhe të mos fshihet pas shamisë burokratike të Jozefina Topallit. "Të vijë në debat për krimin shtetëror në Gërdec, për përgjegjësitë dhe natyrisht masën që ai ka marrë", u shpreh Braçe. Ai i kërkon prokurorisë që të mos vonohet më, të ngrejë sa më parë akuza ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit të përfshirë në krimin makabër të Gërdecit, pavarësisht statusit të tyre politik. Në fund të konferencës, nënkryetari Braçe u shpreh se "ne nxisim prokurorinë të thellojë hetimet, t‘i riorganizojë ato si hetime ndaj një grupi të strukturuar kriminal, me seli në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nr. 1/ 1000, Tiranë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›