PD: Ndryshimet kushtetuese nuk u testuan për presidentin, por vetëm për sistemin zgjedhor

Tritan Shehu: Zgjedhja e presidentit, sipas Kushtetutës së 2008-ës
Partia Demokratike kërkon vendosjen në provë të ndryshimeve kushtetuese të bëra 3 vjet më parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deputeti i PD-së, Tritan Shehu në një prononcim për mediat ka deklaruar se në ndryshimin që iu bë dokumentit themeltar të shtetit në vitin 2008 u provua sistemi zgjedhor dhe rezultoi i suksesshëm. Mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Republikës është e vetmja pikë e ndryshuar në Kushtetutë e cila ende nuk është bërë efektive deri më sot. Për këtë Tritan Shehu i qëndron bindjes se, Presidenti duhet të zgjidhet sipas mënyrës së përcaktuar në vitin 2008 nga opozita.
“Sot, kryetari i PS-së deklaron: “Unë gabova atëherë dhe kërkoj ta ndryshojmë sot”. Për mua këtu ka një mungesë të madhe serioziteti dhe përgjegjshmërie. Për mua ndryshimet e 2008-ës të kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit nuk janë vënë akoma në provë. Nuk është provuar efekti i tyre, pra, nuk është provuar asnjëherë një efekt negativ i tyre. Pra, shtrohet pyetja: “Pse të ndryshohen sot, kur këto nuk janë provuar akoma?”- u shpreh deputeti demokrat, Shehu. Lidhur me debatin për emrin e Presidentit, PD shprehet se është shumë herët për të përcaktuar kandidaturat e mundshme. “Së pari, unë do të them që është e parakohshme për të folur për emra dhe persona konkretë. Në një vend demokratik si Shqipëria, nuk ka asnjë diferencim midis femrës dhe mashkullit, burrit dhe gruas, për të drejtën e kandidimit dhe për të drejtën për të arritur poste të rëndësishme të jetës së vendit. Zgjedhja e presidentit nuk mund të jetë një mjet “ta dhashë - ma more” për disa kompromise të çastit. E rëndësishme është që ne të respektojmë kërkesat e kushtetutës për zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai. Referuar raportit të OSBE/ODIHR demokratët theksojnë se faktori ndërkombëtarë sugjeron vetëm ndryshimin e Kodit zgjedhor. Sipas tyre, në asnjë resht të raportit nuk është kërkuar ndryshimi i Kushtetutës.
Juristët: Kushtetuta shmangu krizat, Rama kërkon të ketë në dorë gjithçka/Kërkesa jo zyrtare e opozitës për ndryshimet Kushtetuese është e destinuar të dështojë. Të këtij mendimi janë juristët të cilët e shohin të pavend tendencën e partive politike për të kryer një tjetër ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Juristi Sokol Hazizaj, thotë se “përvoja e deritanishme e opozitës së sotme nuk të bën kurajoz se ajo do të ketë fuqinë e duhur për të detyruar pozitën politike të ndajë opinionin konsensual me opozitën për figurën e Presidentit të Republikës”. Sipas tij, PS dhe opozita e saj, nuk kanë asnjë kapacitet për të kërkuar amendimin e Kushtetutës. “Nisur nga përvoja e deritanishme e veprimtarisë së opozitës, konstatoj se duke qenë e paqartë politikisht, nuk është hera e parë që shumë nga institucionet kushtetuese, jo vetëm që nuk i ka kërkuar, megjithëse i takojnë sipas marrëveshjeve në memoriet politike të së kaluarës, por dhe sot ato vazhdojnë të jenë siç kanë qenë përpara vitit 2005, kur mazhoranca kishte ngjyrim tjetër”- thotë Hazizaj. Edi Rama hodhi në skenën politike propozimin për ndryshime Kushtetuese, në shenjë ndjese ndaj konsensusit që kishte dhënë 3 vjet më parë. Ndjesa e Ramës, në rastin më të mirë është thjesht një riciklim i kërkesës së 3 viteve më parë, me të njëjtin objekt, ndryshimin e Kushtetutës.