PD: Ndryshimet ne qeveri nga konfliktet personale
Eljona Ballhysa
Deputetët demokratë shprehen të habitur për ndryshimet e papritura në kabinetin qeveritar. Sipas tyre, lëvizjet e fundit në Këshillin e Ministrave, kanë qenë të diktuara më tepër nga përplasje personale sesa nga një analizë e punës së ministrave. Disa deputetë të PD-së shprehen se konflikti Topalli- Ndoka, jo vetëm përshpejtoi largimin e PDK-së nga qeveria, por nga ana tjetër nxorri në pah edhe mungesën e plotë të transparencës sa i përket lëvizjeve në kabinetin qeveritarë. Fakti që kryeministri Berisha nuk ka dhënë shpjegime jo vetëm publikisht, por as edhe në grupin parlamentarë të PD-së për ndryshimet e realizuara, bëjnë të qartë se këto ndryshime, mësë shumti, kanë qenë si lëvizje të bëra nën presion. “Është e drejtë e kryeministrit që të bëjë riparime në kabinetin qeveritar kur vihet re se punët nuk ecin. Por gjykojmë se përpara se dekretet të shkojnë tek Presidenti, minimalisht duhej bërë një konsultë me grupin parlamentarë të PD-së”, nënvizon një deputet i PD-së që nuk dëshëron të përmendet me emër. Deputetët demokratë shprehin rezerva për punën e bërë nga ministrat Pollo dhe Ndoka në ministritë që ata kanë mbuluar, por, sipas tyre, do të ishte në etikën e marrdhënieve kryeministër- ministër, që të jepeshin edhe argumentat publik mbi arësyet e shkarkimit të tyre.
Sherri
Nga ana tjetër, sherri brenda PDK-së dhe akuzat e drejtëpërdrejta të Ndokës kundrejt kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duket se kanë qenë edhe shkaku kryesor i largimit të tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Këtë e konfirmojnë edhe vetë burime brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Prej kohësh Partia Demokristiane u përfshi në një valë akuzash dhe kundërakuzash midis anëtarëve të saj, kryesisht dy zëvendësministrave Gurakuqi, Bushati dhe kryetarit Nard Ndoka. Lufta e brendshme në parti, solli dhe përçarjen e PDK-së, ndarjen e saj në dy parti, çuditërisht me emra të njejtë, një me kryetar Ndokën dhe tjetra me kryetar Anton Gurakuqin. Pas këtij veprimi Nard Ndoka nxitoi t’i kërkonte kryeministrit Berisha shkarkimin e dy zëvendës ministrave të cilët qëndronin në detyrë në bazë të një marrëveshje mes Ndokës dhe Berishës. Por kreu i qeverisë nuk ndërmori asnjë hap të tillë, për t’iu përgjigjur kërkesës së Ndokës. Ky hezitim i Berishës në fakt nxori në pah dhe “kurdisjen” e një plani i cili doli zbuluar vetëm një ditë më parë. Shkarkimi i Ndokës tregon qartë se klanet brenda Partisë Demokratike vendosën bashkëpunimin me grupin anti-Ndoka dhe largimin e këtij të fundit nga qeveria. Gjatë gjithë kësaj periudhe kryedemokristiani Ndoka ka hedhur akuza kundrejt klaneve të caktuara brenda PD-së duke nënkuptuar kryetaren e Kuvendit, Topalli, e cila sipas tij, ka “gatuar” përçarjen e Partisë Demokristiane. Pikërisht kjo marrëdhënie e acaruar midis Ndokës dhe Topalli, mendohet nga eksponentë të spikatur të PD-së, se është shkaku u largimit të tij nga qeveria. Po kështu, kryeministri Berisha, si rallë herë nuk ka dhënë asnjë sqarim për motivet e shkarkimit të Ndokës. Gjatë ndryshimeve të mëparshme të kabinetit qeveritar, kreu i qeverisë ka njoftuar publikisht largimet dhe emërimet e ministrave të rinj duke argumentuar vendimet e tij. Ndërsa këtë radhë duket se kryeministri Berisha nuk gjetur fjalët e duhura për të dhënë arsyet e këtyre ndryshimeve.
Demokristianët
Nga ana tjetër demokristianët e Ndokës vazhdojnë ende të shpresojnë se do të rezervohet dhe për ta një post në qeveri. Gjatë gjithë ditës së djeshme mësohet se kryetari Ndoka, i cili preferoi të mos merrte pjesë në mbledhjen e radhës të qeverisë, ka zhvilluar sërish takime të njëpasnjëshme me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Ridvan Bode. Të dy palët kanë hedhur në tryezë propozime dhe kundërshtime. Sipas burimeve nga PDK-ja, Bode me porosi të kryeministrit ka këmbëngulur që Ndoka të pranojë postin e nënkryetarit të Kuvendit. Por kryedemokristiani kërkon përfaqësim në qeveri, duke i kujtuar PD-së marrëveshjen e nënshkruar me këtë parti. Sipas burimeve nga PDK-ja negociatat mes palëve kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjës së djeshme. Pritet që gjatë ditës së sotme të ketë zhvillime të reja nga kjo parti.
24 Korrik 2008