E Diel, 1 Nëntor 2026

PD Ne Tirane vendosen qytetaret dhe jo politikanet

“Edhe sot,  z.Rama vazhdoi avazin e tij te vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron.

Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i papranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin”.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë për mediat përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Sipas saj, Rama ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri.

“Ka mbyllur sytë dhe veshët para komunitetit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht dhe pa asnjë mëdyshje janë shprehur se të gjithë palët duhet të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit, dhe të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura.

Partia Demokratike ka përshëndetur faktin se në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo votë.

Në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që z.Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm.

Në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale”, tha ajo.

Duke drejtuar më pas pyetjet:

“Përse pas numërimit të çdo vote z.Rama kërkon të nxjerrë antikushtetuese votën e qytetarëve?

Përse kërkon z.Rama të shpallë antikushtetues zërin e qytetarëve?

Përse me 14 maj z. Rama e shpalli veten fitues me 10 vota, dhe tani që zëri i 250 mijë qytetarëve të Tiranës u dëgjua, kërkon të anulojë zgjedhjet?”

“Përgjigja është e thjeshtë. Sepse prej dy vitesh ai kërkon atë që qytetarët nuk ia japin”, - përfundoi Tabaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›