Qeveria ndryshon procedurat e pronesine se tokes bujqesore

Sipas gazetës ‘Shqip’, reforma për tokën bujqësore ka angazhuar Qeverinë të paraqesë ndryshime në dy draftet kryesore “Për vlefshmërinë e titujve të pronësisë”, si dhe “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim të tokës bujqësore”. Këto dy drafte do të shqyrtohen njëherësh nga ana e Komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe Veprimtarisë Prodhuese.
Në nismën më të fundit qeveria ka ndryshuar kategorinë e përfituesve të marrjes së titullit të pronësisë të tokës bujqësore. “Përfitues janë familjet bujqësore apo individët të cilët: janë përfitues të tokës bujqësore në përdorim apo në pronësi, sipas vendimit nr.452 të Qeverisë “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”; ii) e kanë tokën bujqësore në përdorim dhe e shfrytëzojnë atë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo të pronësisë”. Gjithashtu, do të përfitojnë familjet bujqësore apo individët të cilët: i) janë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave ata janë përfitues të tokës bujqësore në pronësi apo në përdorim; ii) e kanë në përdorim dhe e shfrytëzojnë atë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit apo të pronësisë”.
Kategoritë që do të përfitojnë nga ky draft janë përdorues dhe shfrytëzues të tokës bujqësore. “Familje bujqësore do të konsiderohen individët që janë: a)banorë të komunës, apo bashkisë, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe në asnjë rast, nga data 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile; b) kryejnë veprimtari bujqësore në tokën në fjalë; c) janë evidentuar nga komuna për interesimin për t’u pajisur me akte pronësie”.
Ndërsa tokat bujqësore nuk u jepet pronësia në rast se: është e regjistruar në regjistrin e ZRPP-së si pronës private; është përfshirë në proces legalizimi; me VKM është kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të AKKP-së apo është objekt shqyrtimi nga AKKP-ja dhe nuk është dhënë ende vendimi, si dhe është objekt i konfliktit gjyqësor për të cilën njësia vendore është vënë në dijeni nga gjykata.