E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Në kupolën e PS njerëz me probleme me ligjin, Rama krenar për ta

TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sot kreun e PS-së Rama se e rrethojnë njerëz që kanë probleme me ligjin dhe për të cilët, sic thekson PD, Rama është krenar.

“Më i çoroditur se një ditë më parë, Edi Rama tha se është krenar që në Partinë Socialiste ka njerëz që kanë pasur problem me ligjin, njerëz, bëmat e të cilëve i njohin i madh e i vogël. Edi Rama është krenar që sot në kupolën e Partisë Socialiste gjenden njerëz që janë pasuruar në kurriz të ligjit, që kanë jetuar në kurriz të ligjit, që janë favorizuar nga Rama në kurriz të ligjit kur ai ishte kryetar Bashkie”, thuhet në reagimin e PD.

“Fare hapur, Rama tregoi sot vlerat e reja që përfaqëson lidershipi i PS-së, dhe modelin që ka ndërmend të ndjekë ai. Me këto deklarata Edi Rama fyen jo vetëm socialistët e ndershëm dhe të zakonshëm që janë shumica e Partisë Socialiste, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë që janë përpjekur të ecin përpara në jetë, jo duke shkelur ligjin, jo duke grabitur, jo duke bërë të fortin, jo duke përfituar miliona dollarë tendera dhe leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›