E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS në tryezën e Presidentit Topit

01/02/2010  Forcat kryesore politike përballë njëra-tjetrës në marrëveshjen e radhës
Palët shfaqen stoike në qëndrimet e tyre. Kreu i shtetit gati për negociata
Partia Socialiste
Partitë politike janë sërish përballë njëra-tjetrës në negociatat e radhës, duke u përpjekur që ta mbajnë prezent një traditë të tillë. Mosmarrëveshjet mes dy forcave kryesore, që në këtë rast janë përkatësisht për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kërkojnë si në çdo rast ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, i cili përcakton dhe modalitet e këtyre negociatave. Kështu, ishte Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ajo e cila përmes rezolutës për Shqipërinë kërkoi që të jetë institucioni i Presidentit, në të cilin të zhvillohen bisedimet mes dy partive kryesore në vend. Deri në këtë pikë duket se çdo gjë është e qartë. Por kaluar më tej, në momentin e uljes në bisedime, duket se palët qëndrojnë stoike përballë njëra-tjetrës. Konkretisht, në të gjitha deklaratat kampi rozë i mëshon çdo ditë e më shumë faktit se nuk do të ketë asnjë lëshim nga kërkesat e tij. Madje nuk mund të flitet për asnjë marrëveshje tjetër, në rast se nuk do të pranohet një nga kërkesat e PS-së, ajo e hapjes së kutive të votimit. Për këtë arsye, nuk mund të pritet gjetja e gjuhës së përbashkët mes socialistëve dhe demokratëve, edhe në rast se do të kishim bisedime në tryezën e kreut të shtetit. Kjo për vetë faktin se edhe pse jo në mënyrë zyrtare, zërat brenda kampit rozë flasin qartë për një qëndrim të palëkundur të lidershipit socialist. Pra, pa hapjen e kutive, nuk mund të ketë asnjë bisedim apo marrëveshje, qoftë zyrtare apo informale. Për pasojë, socialistët do të vijojnë rrugën e tyre të bojkotit, duke ia deleguar këtë bojkot dhe zgjedhjeve lokale të 2011-ës. Kjo të paktën është fryma që përçohet gjatë kësaj periudhe në kampin rozë. Megjithatë, mësohet se zhvillimet politike brenda këtij kampi do të jenë të përqendruara në dy linja. Përgjatë muajit shkurt pritet që opozita të ndërmarrë aksionin e ri politik, ku natyrisht në qendër janë protestat qytetare. Madje kjo nismë nuk do të jetë e kondicionuar nga bisedimet me kampin kundërshtar, por ajo mund të ndërmerret që përpara se të nisin negociatat. Ndërkohë që burime pranë selisë rozë bënë me dije se axhenda e punës së PS-së përfshin dhe një moment që lidhet me zhvillimet parlamentare. Mësohet se do të jetë fillimi i muajit mars, ai i cili do të kthejë Partinë Socialiste në Kuvend. Kështu, në limitet e afateve kushtetuese, grupi parlamentar i PS-së do të jetë në Kuvend, me qëllim legjitimimin e mandateve të tyre. Por një lëvizje e tillë do të jetë vetëm për marrjen e mandateve, për të rinisur bojkotin ndaj institucionit të Parlamentit. Megjithatë, hapat do të jenë të kushtëzuar nga mbarëvajtja e negociatave PS-PD, edhe pse paraprakisht nuk pritet gjetja e konsensusit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›