E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditën e vrasjes, 3 vëllezërit donin të rrihnin autorin

01/02/2010  Besim Karai shkoi në shtëpi mori kallashin dhe i vrau. Dëshmitarët: Qëndroi në shesh
KORÇE- Autori i vrasjes së trefishtë në Vidohovë të Devollit ende nuk është kapur nga uniformat blu dhe as nga forcat RENEA. Operacionet e kërkimit vazhdojnë, ndërkohë që familjarët kanë varrosur edhe djalin e tretë Etlevanin. Tre ditë pas ngjarjes fshati mbetet i pushtuar nga zia dhe i blinduar nga forcat e shumta të policisë, ato speciale dhe RENEA. Nga hetimet e policisë rezulton se tre vëllezërit Mulliri ishin bërë bashkë jo pa qëllim. Ata kishin dalë në lagjen e sipërme për të zgjidhur hesapet me Besim Karain, jo më verbalist, por me grushte. Banorët thonë se ata nuk kalonin në lagjen e sipërme pas kapjes së Taulantit në flagrancë nga ana e Besimit.
Ngjarja
Sipas policisë, tre djemtë kishin vendosur të ziheshin me Besimin. Ata kanë shkuar në lokalin ku ai rrinte shpesh rreth orës 12.30. Besimi i ka pikasur të tre vëllezërit dhe ju është afruar ku edhe kanë nisur konfliktet e para mes palëve. Më pas Besimi është kthyer në banesë ku ka marrë një armë. “Ik, me ty skam punë”, i ka thënë ai vëllait të vogël Etlevanit. Ai ka qëlluar mbi Taulantin në këmbë dhe më pas në gjoks dhe në kurriz, ndërsa vëllai 18-vjeçar i ka dalë në mbrojtje. Për shkak se Besimi ka shkrehur një mori plumbash, Eldi ka marrë plot tetë plagë në trup, ndërsa vëllai 23-vjeçar ka vdekur në vend. Ndërkohë që Xhiljani kishte ikur me vrap për t’i shpëtuar vrasjes, por është ndjekur dhe qëlluar me breshëri nga ana e autorit 20 metra larg vendit ku kishte vrarë dy vëllezërit e tjerë. Banorët tregojnë se autori ka qëndruar 20 minuta në shesh pas krimit. Ai ju bënte presion fshatarëve se po të afroheshin tek tre vëllezërit do t’i vriste. Pasi ka qëndruar afër trupave ai është larguar për t’i shpëtuar kapjes. Etlevan Mulliri ka qenë i treti që është sjellë i vdekur në mbrëmje në shtëpi. Ai ka ndërruar jetë në spital ku kishte shkuar për ndihmë mjekësore. Në mesditë ai është përcjellë për në banesën e fundit nga të afërmit. Babai i viktimës thotë se policia nuk ka marrë asnjë masë derisa konfliktet mes palëve përfunduan në tragjedi. Ai ka qenë i qetë deri në momentin kur në shtëpi ka mbërritur edhe djali i tretë i vdekur. Ai është shprehur se nuk do të marrë hak, por do të kërkojë drejtësi, por ndërsa ka përcjellë djalin e tretë të vdekur ka kërkuar “që të varet në mes të qytetit e ta shikojnë të gjithë. Vrasësi duhet të varet në litar”. tha Xhevahiri.
Kërkimet
Operacionet e kërkimit vazhdojnë. Patrulla të shumta policie kanë blinduar jo vetëm fshatin ku ndodhi masakra, por gjithë zonën e Devollit. Për shkak se autori mund të jetë në vend dhe mund të lëvizë rrugët dytësore dhe ajo drejt Bilishtit që nxjerr në rrugë nacionale janë mbushur me patrulla të shumta policie që kontrollojnë lëvizjet e mjeteve dhe të këmbësorëve. Operacionet e kërkimit zhvillohen nga toka, ndërkohë që janë ndërprerë kërkimet nga ajri me helikopter. Policia tregon se ka kontrolluar të gjitha banesat ku mund të strehohet dhe fshihet autori, shtëpitë e braktisura dhe stanet. Kërkime janë bërë në të katra lagjet e fshatit, por gjurmë të tij janë gjetur vetëm në zonën kufitare nga ku ka pasur plot kohë të largohet. Fshati më i afërt grek ndodhet 10 minuta larg. Autori për shkak se zona është një orë larg nga Bilishti, ka pasur kohë të mjaftueshme për të kaluar kufirin. Ai e njihte zonën për faktin se nxirrte klandestinë nga mali në drejtim të Greqisë. Nuk ka të dhëna të sakta në rast se ai është kthyer në fshat apo ndodhet në territorin grek.
Protesta kundër policisë
Bllokojnë rrugën Korçë- Kapshticë
Familjarët e tre viktimave të masakruar në fshatin Vidohovë kanë bllokuar rrugën nacionale. Ata kanë dalë në protesta kundër policisë për faktin se sipas tyre nuk mundi të parandalojë një krim të paralajmëruar. Sipas babait të viktimave, ai e ka denoncuar në kohë autorin për kërcënimet e vazhdueshme me armë në drejtim të familjes së tij, por në asnjë rast policia nuk e kontrolloi dhe as e vuri para përgjegjësisë edhe pse lëvizte i armatosur në fshat dhe ju zinte pritë djemve. “Policia është po aq fajtore sa dhe krimineli. Mua më vdiqën të tre fëmijët dhe policia asnjëherë nuk na dëgjoi po na trajtonte me tallje. Kemi dalë në protestë kundër policisë. Nuk e lenë rrugën të lirë, po nuk u kap krimineli”, është shprehur Xhevahiri. Menjëherë pas ceremonisë mortore të varrimit të 18-vjeçarit Edlevan Mulliri të gjithë familjarët dhe bashkëfshatarë të viktimave kanë bllokuar rrugën nacionale Korçë - Kapshticë. Për më shumë se një orë ata kanë mbajtur të bllokuar rrugën në hyrje të Bilishtit duke mos lejuar kalimin e mjeteve, ndërsa policia është përpjekur të hyjë në negociata me ta. Ata i kanë thënë policisë së po nuk e kapën autorin për 24 orë do të dalin sërish në rrugë bashkë me arkivolet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›