PD-PS, negociata të fshehta për zgjedhjet

PD dhe PS po vijojnë negociatat për hetimin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare edhe përgjatë këtij muaji, por përsëri ngërçi kryesor mes palëve ngelet “fati” i kutive të votimit. Po kështu, të dyja palët janë shprehur se janë të gatshme edhe në muajin gusht të votojnë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por ato ndahen në interpretimin që i bëjnë Rezolutës së Parlamentit Europian për çështjen e fletëve të votimit. PS-ja është e qëndrimit edhe në amendamentet e fundit që ka bërë, se fletët e votimit të zgjedhjeve të shkuara duhet të qëndrojnë të paprekura deri në përfundim të hetimit. Ndërsa PD-ja thekson se për fletët e votimit duhet të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas nëse kërkohet edhe një opinion i Komisionit të Venecias. Në të kundërt, PD-ja i qëndron vendimit për djegien e fletëve të votimit, me hapjen e kutive të materialeve në komisionin hetimor.
SocialistëtNegociatat me shumicën e djathtë mbeten ende shpresë e Partisë Socialiste. Edhe pse pa takime zyrtare dhe larg vëmendjes mediatike, kontaktet rreth diskutimeve të nisur disa muaj më parë kanë vijuar në mënyrë informale. Të paktën ky është informacioni i përcjellë dje nga sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, i cili ka folur dje për propozime të reja konkrete. “Natyrisht ne jemi dhe të preokupuar për të respektuar kërkesat e partnerëve e në mënyrë të veçantë Rezolutën e PE-së. Në këtë kontekst, edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë. Gjatë këtyre ditëve, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete, se cilat janë ato dhe se si do reagojë kreu i grupit të PD-së nuk më takon mua t’i them dhe kërkojnë konfidencialitetin e nevojshëm. Ne dhe sot në momentin që po flasim nuk rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete”, tha ai. Xhafa nuk ka dhënë asnjë detaj më shumë në këtë drejtim, për arsye të ruajtjes së konfidencialitetit, edhe pse ai është hartuesi i paketës së propozimeve aktuale që i janë vënë në tryezë PD-së. Hetimi parlamentar për të cilin po këmbëngul PS-ja, po inkuadrohet si pjesë kushtëzuese edhe për reformën zgjedhore, kuadër ky që buron nga Rezoluta e Parlamentit të Europës. Sipas sekretarit socialist, një zgjidhje konkrete i është ofruar mazhorancës edhe për sa u përket fletëve të votimit, për të cilat ai ka ripërsëritur edhe njëherë formulën e hedhur në tryezë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, që parashikon vënien në lëvizje të Komisionit të Venecias.
DemokratëtPartia Demokratike theksoi në mënyrë të qartë dje, se ajo do të pranonte ngritjen e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit vetëm nëse socialistët në kërkesat e tyre i përmbaheshin Rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë. Ky reagim erdhi menjëherë pas deklaratës së deputetit socialit, Fatmir Xhafaj, dhe u artikulua nga ana e PD-së, përmes deputetit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Viktor Gumi. Sipas tij, PD-ja është e gatshme në çdo moment ta thërrasë Kuvendin dhe të miratojë aty ngritjen e komisionit hetimor, por objekti i hetimit të këtij komisioni duhet të përputhet me Rezolutën e PE-së. “Grupi parlamentar i PD-së konsideron se, në respekt të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj. Në zbatim të kërkesave të saj, grupi i PD-së është i gatshëm që në çdo kohë të thërrasë Kuvendin”, deklaroi Gumi në një deklaratë për mediat, duke shtuar se çdo interpretim partiak për këtë çështje është i padobishëm. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së la të kuptonte se propozimet e reja të bëra nga PS-ja nuk ndryshojnë shumë me ato të mëparshmet dhe se këto qëndrime nuk janë në një linjë me rezolutën që PE-ja ka hartuar për situatën politike në Shqipëri.
#