Xhafaj: Vijojnë negociatat, kemi propozime konkrete

Sekretari i Partisë Socialiste sqaroi dje se dy negociatorët kanë vijuar kontaktet për zgjidhjen e krizës politike. Këto ditë, Ruçi i ka ofruar Patozit propozime konkrete. Deputeti i PS: Berisha s'do të vërtetën, se do të vjedhë prapë
Pavarësisht se dy raundet zyrtare të negociatave midis kryetarit të Grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe kreut të Grupit të PD, Astrit Patozi, nuk kanë sjellë një rezultat, palët po përpiqen edhe në ditët e nxehta të verës të gjejnë një zgjidhje.
Kjo gjë është bërë e ditur ditën e djeshme nga sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në PS, Fatmir Xhafaj, i cili theksoi gjithashtu se të dy të mandatuarit e forcave politike kanë biseduar dhe kanë arritur në një nivel të caktuar duke pranuar një sërë elementesh të rëndësishëm për ngritjen e komisionit hetimor dhe mënyrën sesi do të funksionojë ky komision.
NEGOCIATAT
Zyrtari i lartë socialist sqaroi përmes një komunikimi me mediat se nuk në këto ditë vere përpjekja për të arritur në një zgjidhje nuk ka rreshtuar nga Partia Socialiste. Ai shprehu shqetësimin për nevojën, për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës. Natyrisht, vijoi deputeti socialist, PS është e preokupuar për të respektuar kërkesat e partnerëve dhe në mënyrë të veçantë rezolutën e PE-së. "Në këtë kontekst edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkret.
Gjatë këtyre ditëve, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete, se cilat janë ato dhe sesi do reagojë kreu i grupit të PD-së, nuk më takon mua t'i them dhe kërkojnë konfidencialitetin e nevojshëm. Ne dhe sot në momentin që po flasim nuk rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete", konfirmoi Xhafaj zhvillimin e negociatave PD-PS gjatë këtij muaji.
Gjithashtu, sekretari për Çështjet Ligjore në PS tha se nga dita e parë që është bërë rezoluta e PD deri më sot, nuk ka asnjë reagim të kësaj mazhorance për detyrat e shtëpisë. "Detyra kryesore e shtëpisë është natyrisht ngritja e komisionit hetimor parlamentar.
Ne jemi gati edhe sot ta mbledhim parlamentin, ta votojmë të fillojë punën komisioni hetimor edhe në kushtet e këtij sezoni të nxehtë vere, që megjithatë nuk po e lë të ftohet mendja e kryeministrit Berisha dhe zonjës Topalli", shprehu vullnetin deputetin socialist.
ZGJIDHJA
Sekretari socialist deklaroi dje se PS ka ofruar një zgjidhje për çështjen e fletëve të votimit, ku edhe qëndron ngërçi polik. "Bën pjesë në atë paketë propozimesh që ne i kemi bërë mazhorancës edhe për këtë çështje. Nuk është ndonjë sekret ta them, sepse kjo ka qenë pjesë edhe e vetë atyre propozimeve që ka bërë grupi tresh i BE-së, pra përfaqësuesit e PE-së, Komisionerit Fyle dhe zonjës Ashton.
Pra, të tre këta përfaqësues të këtyre institucioneve kanë artikuluar një zgjidhje dhe për të", sqaroi Xhafaj. Sipas tij, PS gjithashtu e ka mbështetur këtë dhe e kanë bërë pjesë të projektit të propozimeve të tyre drejtuar kundërshtarëve tanë politik. Nga ana tjetër, ai shprehu bindjen se problemi nuk qëndron tek fakti që nuk gjendet një zgjidhje.
Problemi, vijoi zyrtari socialist, qëndron tek fakti që kryeministri nuk e dëshiron transparencën e zgjedhjeve. "Kryeministri është në të kundërt me qëndrimin e jo thjeshtë të PS, jo thjeshtë të opinionit publik, jo thjesht të mediave në Shqipëri, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, sepse kryeministri nuk e do të vërtetën. Nuk e do të vërtetën se do të vjedhë prapë", kritikoi qëndrimin e Sali Berishës, deputeti i PS.
Sipas tij, doli që PS kishte të drejtë se njerëzit e mirë nuk mendojnë që vidhen zgjedhjet, vota është e shenjtë. Ai shtoi se nuk e mendojnë njerëzit e mirë, njerëzit e këqij e mendojnë dhe e bëjnë. I pyetur nëse i keqi nuk tërhiqet si do të reagojë PS, Xhafaj tha se do të përballen deri në fund, hap pas hapi.
ZBARDHJA
"Zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve të 2009-ës minimumi, minimumi do të çonte në shtëpi ata që kanë vënë duart në zgjedhje. Minimumi do t'i çonte në shtëpi, minimumi nuk do të ishin më ata pjesë e çdo procesi të administrimit zgjedhor. Minimumi do të fillonte të krijonte detyrimin, respektin ndaj ligjit elektoral dhe ndëshkimit ndaj cilitdo që do guxonte të vinte dorë në to", deklaroi Fatmir Xhafaj.
Sekretari socialist komenton akuzat se Topi ka shkelur Kushtetutën
"PD, ose është fare e papërgjegjshme, ose luan blofin"
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, e cilësoi si propozim bombastik mbledhjen e parlamentit në seancë të jashtëzakonshme për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. "Këta nuk janë realisht seriozë! Thonë që Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. Nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën, do të thotë që Presidenti duhet të përgjigjet. Ose këta janë fare të papërgjegjshëm kur bëjnë të tilla deklarata ose e gjitha kjo është një blof.
Duhet ta shkarkojnë?! Atëherë të mbledhin Parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme, ta artikulojnë, të bëjnë "impiçmënt" për Presidentin e Republikës dhe të vazhdojnë", deklaroi sekretari për Çështjet Ligjore në PS. Por, sipas tij, "kjo është shashka e radhës që është përdorur vetëm për një qëllim të vetëm, duan të largojnë vëmendjen".
Deputeti Xhafaj deklaroi se mazhoranca dëshiron të largojë vëmendjen nga kriza, që është politike, është për institucionet administrative në këtë vend, është krizë për drejtësinë, është krizë ekonomike para se të gjithash.
PD-PS, PIKAT QË KANË RËNË DAKORD
Të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit.
Të dy palët ranë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht.
Të dy palët ranë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore.
Të dy palët ranë dakord që të gjitha institucionet shtetërore, KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që i parashtrohet komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t'i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh.