Moisiu: "Nuk shoh asnjë shkelje kushtetuese"

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, mbron pasardhësin e tij, duke deklaruar se presidenti Bamir Topi nuk ka shkelur Kushtetutën për emërimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ish-presidentit Moisiu, presidenti Topi ndodhet në mes të një sulmi politik nga mazhorancë, pasi kjo e fundit kërkon që ta nënshtrojë atë.
Për të, ideja për të hartuar një ligj Organik që do të rregullonte organizimin dhe funksionimin e institucionit të presidencës është pozitive.
Alfred Moisiu shprehet se pavarësisht kompetencave të kreut të shtetit që janë të mirëpërcaktuara në Kushtetutë, ato kanë nevojë për t'u shkruar saktësisht. Në rast të rregullimit ligjor të të drejtave dhe detyrave të Presidentit, Moisiu propozon përcaktimin e qartë të statusit të ish-presidentëve.
Ish-kreu i shtetit i miratuar me konsensus nga Partia Demokratike dhe nga Partia Socialiste në 2002 ka dalë në mbrojtje të presidentit aktual, Bamir Topi, për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Paraardhësi i presidentit Topi u shpreh se kreu i shtetit nuk ka shkelur ligjin themeltar të shtetit lidhur me vonesën në emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ish-kreu i shtetit i cilëson akuzat e mazhorancës në drejtim të presidentit Bamir Topi si sulme politike.
Për paraardhësin e kreut aktual të shtetit, qëllimi i sulmeve të mazhorancës ndaj presidentit është nënshtrimi i këtij institucioni ndaj shumicës në pushtet. "Nuk shoh asnjë shkelje kushtetuese në këtë rast. Kjo është për të ardhur keq, sepse duket qartë që është një synim politik i mazhorancës, për të goditur presidentin dhe për ta nënshtruar presidentin e Republikës", - theksoi ish-presidenti Moisiu.
Duke e lidhur me vonesën e emërimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Alfred Moisiu kujton vitin 2007, kur kreu aktual i kësaj gjykate, Vladimir Kristo, mori kryesinë e Gjykatës Kushtetuese, me disa ditë vonesë nga skadimi i mandatit të paraardhësit të tij. Ish-presidenti u shpreh se klasa politike duhet ta kishte ngritur më herët zërin për mbarimin e mandatit të kryetarit të gjykatës duke mos pritur që të kalonin dy muaj.
"Në 2007, kur kishte skaduar disa ditë mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë gati një revoltë, më quajtën dhe që po bëja grusht konstitucional.
Ndërsa me sa di unë, kryetarit aktual i ka skaduar në fillim të qershorit mandati dhe ky problem u nxeh në fund të korrikut, pra dy muaj me vonesë", deklaroi Moisiu. Ndërkohë, ish-kreu i shtetit pranon idenë e hedhur nga mazhoranca për hartimin e një Ligji Organik për veprimtarinë e presidentit.
Për paraardhësin e Bamir Topit një ligj i tillë do të ndihmonte në organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, pasi do të përcaktonte në mënyrë të qartë detyrat dhe të drejtat që ka Presidenti i Republikës.
"Për gjykimin tim, ky ligj nuk prish punë, të përcaktohen disa gjëra që pavarësisht se në Kushtetutë janë të njohura dhe të mirëshkruara të drejtat legjitime të presidentit, por ka dhe gjëra që nuk janë saktësisht të caktuara, të drejtat dhe detyrat e presidentit kur është në funksion, edhe kur largohet nga detyra", u shpreh ai.
Debati për vonesën e emërimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese filloi kur shumica parlamentare akuzoi presidentin Topi se ka shkelur Kushtetutën, duke vonuar dekretimin e emrit të ri të kreut të kësaj gjykate.
Sipas demokratëve, mungesa e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka bllokuar punën e këtij institucioni. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të mbledhur Parlamentin, nëse do të ishte e nevojshme për të miratuar emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të kreut të kësaj gjykate.
Akuzat e demokratëve nuk kanë gjetur mbështetjen e plotë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputetët e kësaj force mbështesin kreun e shtetit për dekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në shtator, ndërkohë që pika e vetme për të cilën bien dakord me PD-në është hartimi i një Ligji Organik për presidentin.
Statusi i Presidentit
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, deklaron se në rast të hartimit të një Ligji Organik për presidentin duhet të parashikohet edhe statusi për ish-presidentët. Kjo është një ide e vjetër e ish-kreut të shtetit, e cila ka gjetur mbështetjen edhe të ish-presidentit Meidani.
Në deklaratat e tij të mëparshme, Alfred Moisiu ka deklaruar se miratimi i statusit për ish-presidentët ka të bëjë me respektin që shteti ka për personalitetet që i kanë shërbyer vendit dhe që duhet të vazhdojnë t'i shërbejnë.
Komisioni hetimor, PD: Gati të mbledhim Parlamentin
Për deputetin demokrat Gumi, çdo interpretim partiak i rezolutës është i padobishëm
Partia Demokratike shprehet e gatshme për të mbledhur Parlamentin, nëse do të jetë e nevojshme për të ngritur Komisionin Hetimor që do të merret me hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Deputeti i PD-së dhe njëkohësisht anëtari i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, deklaroi se grupi parlamentar i Partisë Demokratike është i gatshëm që në çdo kohë të thërrasë Kuvendin.
Por, pavarësisht gatishmërisë për ngritjen e Komisionit Hetimor, sipas deputetit Gumi, mazhoranca nuk tërhiqet nga pozicioni i saj për fletët e votimit. Për deputetin demokrat, hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të realizohet mbi rekomandimet e Rezolutës së Bashkimit Europian.
"Grupi parlamentar i Partisë Demokratike konsideron se, në respekt të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj", sqaroi deputeti Gumi.
Sipas tij, çdo interpretim partiak i rezolutës është i padobishëm në zgjidhjen e krizës politike. Demokratët kanë caktuar kreun e tyre të grupit parlamentar, Astrit Patozi, për të udhëhequr negociatat me socialistët. Pavarësisht deklaratave të selisë rozë se negociatat nuk janë ndalur, një gjë e tillë nuk konfirmohet nga mazhoranca.
Zgjedhjet Meta: Mazhoranca mbetet e hapur për transparencën e zgjedhjeve
Ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se mazhoranca është dhe mbetet e hapur për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, por, sipas tij, ka qenë opozita që nuk ka ditur të shfrytëzojë instrumentet e saj ligjore.
Duke komentuar deklaratat e Sekretarit për Çështje Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa, se opozita është e gatshme që të mbledhë edhe Parlamentin për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e vitit të kaluar, kryetari i LSI-së u shpreh se kreu i qeverisë, Sali Berisha, është treguar i gatshëm për të riformatuar Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Markata e Vjetër, përplasje e re qeveri-bashki
Deputeti i PD-së, Florian Mima, u premtoi 15 familjeve që jetojnë në një godinë tek ish-Markata e Vjetër se askush nuk do t'i nxjerrë jashtë, pasi godina do të futet në Fondin e Entit Kombëtar të Banesave.
Kjo ka sjellë reagimin e PS-së, e cila nëpërmjet deputetit Eduard Shalsi akuzoi mazhorancën për mungesë vizioni. Sipas deputetit socialist, plani i Bashkisë së Tiranës është strehimi i familjeve në banesat sociale që priten të përfundojnë.
"Familjet që jetojnë në kushte shumë të vështira në këtë kopsht, do të trajtohen në programet sociale. Pra, të strehohen në banesat sociale që Bashkia e Tiranës përfundon së ndërtuari shumë shpejt, jo larg atij kopshti", sqaroi deputeti Shalsi.
Me një vendim të Bashkisë së Tiranës, godina e ish-Markatës së Vjetër, e cila ndodhet në rrugën "Ali Demi" në Tiranë, është projektuar për t'u kthyer në kopsht.
Bregu përshëndet raportin e USAID
Zëdhënësja e Qeverisë dhe njëkohësisht Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përshëndeti raportin e USAID mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri.
Sipas ministres Bregu, raporti i USAID konfirmon suksesin e reformave të Qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. "USAID konfirmon edhe njëherë suksesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare", deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu.