PD-PS nuk gjejnë kompromision për komisionin hetimor

Edhe pse ka zgjatur më shumë se 2 orë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, maxhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur konsensusin për datën kur do të votohet në parlament komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
PS ka kërkuar që në seancën e së enjtes në datën 16 dhjetor të ngrihet komisioni, ndërkohë që PD-ja ka kërkuar më shumë për t`u shqyrtuar në komisionin e ligjeve duke propozuar datën 23 qershor si seanca e votimit të projekt-vendimit për hetimin e zgjedhjeve.
Për shkak të mungesës së konsensusit do të jetë seanca plenare e cila do të votojë datën kur do të kalojë në Parlament komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Përtej datës, maxhoranca dhe opozita kanë diskutuar edhe për 2 pika të projekt-vendimit, pikën 3 që ka të bëjë me përbërjen e komisionit dhe pikën 4 që ka të bëjë me objektin e hetimit.
PD ka nënvizuar se ligji për komisionet hetimore shumicën ia jep maxhorancës qeverisëse ndërkohë që ka shprehur rezerva për nenin 119 sipas të cilit PS-ja kërkon materialet zgjedhore. Këto dy çështje janë lënë të zgjidhen me negociata mes dy krerëve të grupeve kryesore parlamentare Ruçi e Patozi.
Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, duket se kërkesa e PS-së e dorëzuar në Parlament në datën 2 dhjetor ka bërë që kompromisi për të zgjidhur ngërçin politik të jetë më afër se asnjëherë tjetër.