E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, pakt i ri kundër Topit

 

BLEDAR HOTI

Dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD, "ulin armët" dhe i kthehen bashkëpunimit, duke synuar realizimin e një pakti kundër Presidentit të vendit, Bamir Topi. Shmangia nga konsultimet të dy partive kryesore nga ana e kreut të shtetit, Topi, përpara dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka vënë në lëvizje socialistët dhe demokratët, të cilët kanë nisur të realizojnë një procedurë më strikte në lidhje me përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë Gjykate të Lartë apo Kushtetuese. Pakti PS-PD duket se do të synojë edhe rrethimin nga ana ligjore të godinës presidenciale, e cila ndodhet 100 metër larg godinës së kryesisë së Kuvendit. Pas reagimit të socialistëve për ndryshimin e rregullores së Kuvendit për të kufizuar kompetencat e Presidentit në lidhje me emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë apo të institucioneve të tjera, që realizohen nëpërmjet paraqitjes së dekreteve të Presidentit dhe më pas për dhënie pëlqimi në Kuvend. Socialistët paraqitën propozime konkrete në lidhje me vendosjen e një filtri të qartë për kandidaturat që do të paraqiten nga kreu i shtetit për votim në Kuvend. Pas shpalosjes së këtyre qëndrimeve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në një prononcim për mediat mbështeti idenë e opozitës për miratimin e procedurave të reja në rregulloren e Kuvendit, që kanë për qëllim përmirësimin e praktikave të emërimeve të titullarëve në institucionet kushtetuese, të pavarura, si dhe mbi të gjithë në gjykata. Patozi, madje, ka deklaruar se Presidenti ka procedurën e tij, ndërsa Parlamenti do të ketë mënyrën e tij të veprimit mbi dekretet që do të paraqitet. Si socialistët, ashtu dhe demokratët janë pro zhvillimit të seancës të tipit amerikan "hiring", edhe me kandidatët në Gjykatat e Larta apo Kushtetuese. "Dy institucionet janë të pavarura njëri me tjetrin. Mendoj se marrëdhënia ndërmjet tyre duhet të përshtatet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke realizuar një procedurë strikte për çështjen e anëtarëve të Gjykatës. Presidenti ka mënyrën e vet dhe Kuvendi duhet të ketë mënyrën e vet për këtë proces. Mendoj se duhet të ketë seanca hiring, dëgjimore, që është një procedurë e veçantë", deklaroi Patozi. Ndërsa propozimet për ndryshimin e rregullores, si dhe të shqyrtimit të meritës për kandidaturat, u mbështetën edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja. Ndërsa socialistët Malaj dhe Dervishi paraqitën dhe amendamente konkrete në lidhje me ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Gjatë konferencës për shtyp, deputeti i PS-së, Dervishi tha se, "ndryshimet e propozuara lidhen me amendimin e nenit 111, pika 3 dhe 6 të tij të rregullores parlamentare". Neni në fjalë parashikon procedurat që ndiqen për dekretet e Presidentit. Sipas tij, "në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i tij ia kalon kërkesën Komisionit të Ligjeve, i cili brenda 7 ditësh shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore". Deputeti Dervishi nënvizoi se, "nisma e propozuar nga PS-ja synon shmangien e konflikteve që mund të krijohen mes organeve kushtetuese". Ndërsa, sipas Malajt, "në këtë rast është tentuar që pa ndryshuar totalin e kohës në dispozicion të Kuvendit, t'i jepet prioritet shqyrtimit në komision të kandidaturave, si nga pikëpamja e kritereve ligjore, ashtu dhe nga ajo e meritës".

Astrit Patozi
Dy institucionet janë të pavarura njëri me tjetrin. Mendoj se marrëdhënia ndërmjet tyre duhet të përshtatet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke realizuar një procedurë strikte për çështjen e anëtarëve të Gjykatës. Presidenti ka mënyrën e vet dhe Kuvendi duhet të ketë mënyrën e vet për këtë proces. Mendoj se duhet të ketë seanca hiring, dëgjimore, që është një procedurë e veçantë.

Arben Malaj
"Në zgjatjen në dy javë të kohës në dispozicion të komisioneve përkatëse, që synon pikërisht të rrisë kontrollin parlamentar, duke kërkuar që seanca e dëgjimit të jetë e detyrueshme për kandidatët. Në këtë rast është tentuar që pa ndryshuar totalin e kohës në dispozicion të Kuvendit, t'i jepet prioritet shqyrtimit në komision të kandidaturave, si nga pikëpamja e kritereve ligjore, ashtu dhe nga ajo e meritës".

Xhufi: PS-PD duan të nënshtrojnë Presidentin

Lëvizja Socialiste për Integrim doli kundër nismës së PS-së dhe PD-së për ngushtimin e kompetencave të kreut të shtetit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatave Kushtetuese dhe të Lartë. Në konferencën për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh edhe kundër miratimit të ligjit organik për Presidentin. "LSI denoncon thirrjet e ashtuquajtura 'për transparencë' në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kushtetuese, si dhe ato për 'amendimet' në rregulloren e Parlamentit: të gjitha këto kanë një qëllim dhe do të kishin një rezultat, po qe se do realizoheshin: ta zhvendosnin procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për poste kushtetuese, nga Presidenca në Kuvendin e kontrolluar tashmë nga vullnete politike të korruptuara", deklaroi Xhufi. Ai theksoi se, "LSI denoncon me forcë nismat e paralajmëruara nga maxhoranca e nga segmente të opozitës mbi hartimin e të ashtuquajturit 'ligj organik' për Presidentin, që, së bashku me ndryshimet përkatëse kushtetuese, kërkon ta banalizojë e ta kthejë institucionin epror të Presidentit në një instrument politik të maxhorancës, apo 'të dyshes' së radhës". Sipas Xhufit, "çdo tentativë politike, qoftë edhe e përçuar nëpërmjet Kuvendit, për të interferuar në një proces të tillë, do të konsiderohet nga LSI si një tentativë antikushtetuese e radhës për uzurpimin apo parcelizimin politik të një institucioni kushtetues, me rol të pazëvendësueshëm në afirmimin e shtetit ligjor e në luftën kundër krimit e korrupsionit".

Sollaku propozoi i pari ndryshimet

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, hodhi i pari idenë e hartimit të një ligji organik për funksionimin e Presidencës. Sipas tij, edhe Presidenti duhet të ketë një ligj të tij, ashtu sikurse e kanë të gjitha institucionet kushtetuese. "Mendoj se duhet pasur parasysh që për të eliminuar situata të tilla të padëshirueshme dhe debate të panevojshme, e rëndësishme është të ndërmerren dy hapa të rëndësishëm; së pari, duhet bërë ligji për funksionimin e institucionit të Presidentit. Ky është një detyrim që buron nga neni 6 i Kushtetutës. Sot të gjitha institucionet kushtetuese kanë ligjin e tyre, përjashto Presidentin dhe kjo ka ndodhur për shkak të situatave dhe konjukturave politike në marrëdhëniet mes Presidentit dhe maxhorancave në një moment të caktuar dhe mesa duket ky ka qenë shkaku që e kanë lënë këtë ligj të pamiratuar", tha Sollaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›