E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, për çfarë do të ketë dialog?

Gatishmërisë së Presidentit Bamir Topi për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës, PD në qeveri dhe PS në opozitë i përgjigjen se do të këmbëngulin për të realizuar synimet e tyre. Njoftimi se Presidenti Topi ka ofruar zyrtarisht ndërmjetësimin e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, është pritur nga palët pa entuziazëm apo habi. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, i tha BBC-së se "kjo është një ndër detyrat e Presidentit të Republikës". Ndërsa deputeti i PS-së, Erion Braçe, tha se "ndonëse pak e vonuar, ndërhyrja e zotit Topi është hap në drejtimin e duhur". Me më shumë komente është pritur ky angazhim i Presidentit Topi nga analistët mediatikë. Skënder Minxhozi i revistës “MAPO” e shikon këtë hap si "rezultat i rezolutës së Këshillit të Evropës dhe përgjithësisht të angazhimit të ndërkombëtarëve". Për Sami Nezën i gazetës “standard”, "në këtë iniciativë zoti Topi duhet mbështetur, por vetë profili i tij, sipas Kushtetutës, nuk të krijon shumë entuziazëm". Ndonëse nuk është bërë i ditur rendi i ditës i tryezës së përbashkët, përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike kanë bërë të ditur se do të këmbëngulin për të realizuar synimet e tyre. Opozita deklaron se do të kërkojë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ndërsa shumica kërkon hyrjen e saj në Parlament dhe vazhdimin e reformave. Erion Braçe i PS-së thotë për BBC se "bisedimet do të jenë shumë të vështira" dhe kjo, sipas tij, për shkak të qëndrimeve të njohura të kreut të shumicës, Kryeministrit Sali Berisha. Por Aldo Bumçi i PD-së thotë se partia e tij ka bërë mjaft lëshime, "ndërkohë që tryeza duhet të synojë të ardhmen". Edhe gazetari Sami Neza mendon se përfundimi i kësaj tryeze do të duhet të tentojë gjithnjë në zgjidhjen e problemeve në të ardhmen. Analisti Skënder Minxhozi parashikon që "këmbëngulja e bashkësisë ndërkombëtare të jetë e tillë që negociatat pavarësisht kundërshtimit të palëve, të mos dështojnë".
Megjithatë, do të duhet të pritet deri në fillimin e bisedimeve për të parashikuar edhe tendencën e tyre. Siç dihet, dialogu mes dy forcave më të mëdha politike në vend, PD në pushtet dhe PS në opozitë, është ndër pikat themelore të rezolutës së Këshillit të Evropës, që u miratua në fund të janarit në Asamblenë Parlamentare në Strasburg dhe që do të ndikojë në proceset e ardhshme integruese të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›