E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: Deputetët e PS-së të dorëzojnë makinat

Arta Dade dhe Erion Braçe dorëzojnë makinat e tyre që i gëzonin si deputetë, ndërsa dje një tjetër deputet i opozitës dorëzoi makinën. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, kërkoi dje që ish-deputetët si dhe ata që kanë mandate nga KQZ-ja, të dorëzojnë makinat siç e kërkon ligji i fundit. Kuvendi paralajmëroi ish-deputetët, ndryshe do të publikojë emrat e tyre që nuk kanë zbatuar ligjin.
Një grup ish-deputetësh, por edhe deputetë me mandat nga KQZ-ja që s’kanë bërë ende betimin, përdorin makinat zyrtare që kanë pasur në momentin që shërbenin në Kuvend. Përdorimi i makinave zyrtare është në shkelje të hapur me ligjin që u miratua disa muaj më parë, i cili ua hoqi makinat deputetëve. Shqetësimi i ngritur nga deputetët e mazhorancës ka gjetur një përgjigje dhe reagim zyrtar nga Kuvendi. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, në një njoftim për mediat, u ka kërkuar të gjithë ish-deputetëve të dorëzojnë makinat pasi përdorimi i tyre bie ndesh me ligjin. “Administrata e Kuvendit, në përmbushje të detyrimeve, që burojnë nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 10.160, datë 15.10.2009, "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë", kërkon edhe një herë ish-deputetëve apo atyre që kanë marrë mandate nga KQZ-ja që të dorëzojnë makinat e Kuvendit apo të institucioneve të tjera të marra si ish-deputetë”, - thuhet në komunikimin zyrtar. Administrata e Kuvendit nuk pranoi të bënte me dije emrat e ish-deputetëve që vijojnë të thyejnë ligjin, por deklaroi se dje një ish-deputet dorëzoi makinën në Kuvend. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe deputetët e mandatuar në KQZ të opozitës që s’kanë bërë ende betimin, si Arta Dade dhe Erion Braçe. Administrata paralajmëroi se nëse nuk dorëzohen makinat, atëherë ajo do të publikojë emrat e tyre. “Nëse ata do të vonojnë përsëri dorëzimin e automjeteve, administrata e Kuvendit do të bëjë publikë emrat e tyre. Njoftojmë gjithashtu se sot një tjetër deputet i opozitës dorëzoi automjetin që kishte në përdorim, ashtu si zonja Dade dhe zoti Braçe që i kanë dorëzuar. Duke besuar në respektimin e ligjit, administrata e Kuvendit shpreson në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me secilin prej tyre”, - përfundon njoftimi zyrtar i Kuvendit. Çështja e makinave ka qenë shqetësim veçanërisht i deputetëve të mazhorancës së djathtë. Pas miratimit të ligjit, i cili u heq të drejtën e përdorimit të makinave, deputetët e djathtë dorëzuan makinat në Kuvend. Kjo nismë u bë që para datës 20 nëntor të vitit të kaluar. Me anë të këtij ligji, shteti shqiptar kursen rreth 30 milionë dollarë në vit si shkurtim shpenzimesh për transportin e zyrtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›