E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Partia e Re “Rama” me program si të Nastradinit

23-02-2013 / Gazeta 55

Selia blu: Keqardhje, për herë të parë, në betejën elektorale, s’do kemi përballë opozitën
   
Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit dyditor të programit në Konventën e Partisë Socialiste. Përmes një deklarate për mediat zëdhënësja e kësaj partie Laura Vorpsi është shprehur se në pallatin e kongreseve u legjitimua asgjësimi i plotë i PS dhe u themelua Partia e Re Rama, një amalgamë e pinjollëve të bllokut Hoxhist me 99-shat dhe Rama me mjaftin e tij, i cili për mashtrimet dhe trillimet mund të quhej programi i Nastradinit.
“Prej dy ditësh Partia Socialiste e Shqipërisë kundërshtarja tradicionale 20 vjeçare e Partisë Demokratike në të gjitha betejat elektorale kaloi në ilegalitet por tashmë jo në male apo budrume, por ajo u ndrydh në botën virtuale apo atë të Facebook-ut për të mos dalë dot më prej saj. Personazhet që recitonin programin e partisë Rama i cili për mashtrimet dhe trillimet mund të quhej programi i Nastradinit, drejtoheshin nga nënkryetari Erion Velia njeriu që pasi ndërtoi vila familjare me paratë e Mjaftit, vodhi kompjuterin e financave të kësaj organizate për të fshehur gjurmët e vjedhjes së tij nga Olta Xhaçka apo Miss Gjallica e Mjaftit dhe nga Ilir Beqja që me baxhanakun e “shokut Rama” ndanë qindra milionë lek të taksapaguesve të Tiranës për çka, dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese ju hoq mandati i deputetit. Partia Demokratike shpreh keqardhje që për herë të parë pas 20 vjetësh, në betejën elektorale të 23 Qershorit, nuk do të ketë përballë opozitën e vërtetë socialiste”.
Por PD garanton socialistët e thjeshtë shqiptarë se interesat e tyre qytetare nuk do të mbeten jetime dhe se në zgjedhjet e 23 qershorit së bashku do ti rezervojmë “partisë Rama” apo partisë së Re të një grupi të vogël të pinjollëve të bllokut, 99-shave dhe Mjaftucëve të z.Rama fatin që i rezervuam G99-ës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
“Duke e lënë të majtën shqiptare të merret me vetveten dhe duke mos hyrë në punët e brendshme të partive të tjera, Partia Demokratike duke uruar z.Rama për Partinë e re shpreh vullnetin e plotë se është e gatshme dhe e hapur të bashkëpunojë me “Partinë e re Rama”, për të krijuar infrastrukturën dhe klimën më të mire parazgjedhore në mënyrë që shqiptarët me 23 qershor 2013 të kenë zgjedhjet më të mira në historinë e Shqipërisë”- vijoi ajo. “Ne jemi të bindur se ky bashkëpunim dhe kjo klimë mirëkuptimi me Partine e re Rama mund të bëhet realitet në të mirë të Shqiptarëve, pasi për hir të së vërtetës, kjo nuk është hera e parë që ne kemi bashkëpunuar me këtë parti. Kujtojmë këtu bashkëpunimin e shkëlqyer dhe efikas që PD pati me “Partinë e re Rama”, me Mjaft -in dhe G99-ën në vitin 2005 për të përmbysur qeverinë Nano. Ne ia dolëm atëherë, pse mos ia dalim dhe tani t’u japim Shqiptarëve zgjedhjet më të mira, më të ndershme dhe më të lira në historinë e Shqipërisë”- përfundon deklarata e PD-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›