E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albpetrol” dhe “CEZ” - çdo veprim në përputhje të plotë me ligjin

22-02-2013 / Gazeta 55

Interpelancë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto
   
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, e cilësoi procesin në të cilin u përfshi kompania publike e naftës për tu privatizuar si tërësisht të bazuar mbi ligjin. Duke folur në interpelancën e kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe, ministri Haxhinasto theksoi se procesi i privatizimit të kësaj shoqërie u asistua nga konsulenti ndërkombëtar “Patton Bogs”. Në 9 maj, sipas tij, u publikua njoftimi për tenderin ndërkombëtar.
“Informacioni për këtë u bë i ditur në media, sipas procedurave ligjore. Patëm 20 kompani që shprehen interesat e tyre për të marrë pjesë në privatizim. Në përputhje me rregullat e përcaktuara data 7 shtator 2012 shënoi mbylljen e procesit të tenderit. Në këtë proces u paraqitën ofertat e 6 kompanive. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi shqyrtoi raportin e hartuar nga konsulenti mbi dokumentacionin e ofertave të paraqitura dhe pas vlerësimit financiar me pikë, vendosi të kualifikojë ofertat e kompanive ‘Vetro Energy’, ‘Win Bussines’ dhe ‘Bankers Petroleum’, dhe të skualifikojë ofertat e tjera”, tha Haxhinasto.
Më tej, ai u shpreh se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në bashkëpunim me konsulentin, i paraqiti raportin përfundimtar Këshillit të Ministrave me 3 tetor 2012. “Këshilli i Ministrave miratoi raportin përfundimtar dhe shpalli kandidat fitues kompaninë ‘Vetro Energy’. Po ashtu, ky vendim ngarkoi METE-n të negocionte dhe të nënshkruante marrëveshjen me kandidatin fitues. Në zbatim të këtij vendimi METE njoftoi kandidatin për fillimin e procesit të negociatave, i cili do të përfundonte më 3 nëntor 2012. Pas një kërkese të vet kompanisë për një shtyrje të procesit të negocimit në përputhje me dispozitat ligjore periudha e negocimit u shty deri me 3 dhjetor 2012. Megjithatë ‘Vetro Energy’ nuk arriti të plotësojë detyrimet dhe të firmosë kontratën”, vijoi më tej Haxhinasto.
Kreu i METE-s u shpreh se në këto kushte METE nisi menjëherë procedurën e tërheqjes së garancisë së ofertës së këtij konsorciumi në përputhje me dispozitat ligjore.
“Më datë 7 dhjetor janë nisur formularët përkatës dhe shkresat drejtuar institucioneve respektive që kishin detyrimin ligjor të merreshin me këtë çështje”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, vijoi Haxhinasto, METE kërkoi një këshillim për mënyrën e vijimit të procedurës së privatizimit, duke qenë se situata e paraqitur ishte për herë të parë dhe vendimi i Këshillit të Ministrave autorizonte METE-n të negocionte vetëm me kandidatin që renditej i pari. Në këto kushte, theksoi ai, Këshilli i Ministrave datë 1.2 .2013 shpalli të mbyllur kontratën me “Vetro Energy” si dhe autorizoi METE-n të vlerësojë vazhdimin e negociatave me kompanitë e tjera.
“Por, ofertat e këtyre kompanive ishin të vlefshme për periudhën 120 ditë pas datës së hapjes së ofertave për pasojë vlefshmëria ka përfunduar me 7 janar. Është bërë komunikimi me kompanitë dhe gatishmërinë e tyre për sa i takon vazhdimit të garës, që ishte negative. METE i ka propozuar KM-së që të shfuqizojë pikën 2 të VKM nr. 74 datë 1. 2. 2012 dhe të mbyllë procedurën e privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’”, tha Haxhinasto.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›