E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Qëndrimi i Ramës ndaj vrasjes së policëve, amoral

Partia Demokratike e cilësoi sot si amoral qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili për gjatë tetë ditëve përpiqet të përbaltë aktin heroik të rënies në krye të detyrës së 4 oficerëve të shkëlqyer të Policisë së Shtetit, duke bërë avokatinë ndaj aktit terrorist të Dritan Dajtit".Në një deklarate për shtyp, Partia Demokratike, duke dënuar këtë qëndrim vinte re se, "Kryetari pa mandat i Partisë Socialiste, deklaron se të rënët në krye të detyrës janë viktima të korrupsionit shtetëror dhe e bën këtë vetëm e vetëm për të lehtësuar Dritan Dajtin nga akti terrorist që ai kreu, për të cilin e dënon çdo shqiptar"."Në 8 komunikatat e lëshuara njëra pas tjetrës, nga resortet turistike, ku po kalon pushimet, njeriu që përdhos kodin e zisë dhe të vdekjes së shqiptarëve, trillon, shpif e mashtron për çdo gjë, por jo rastësisht nuk guxon të shqiptojë në asnjë ditë e asnjë rast emrin e superkriminelit, Dritan Dajti", thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së.
"Partia Demokratike garanton se toleranca zero është dhe mbetet platforma e qeverisë ndaj Dajtit dhe klaneve të tij kriminale, të cilët Edi Rama i ushqen me troje e leje ndërtimi në Bashkinë e kryeqytetit", duke ju referuar deklaratës së PD-së. Katër oficerët e Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Kastriot Feskja, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari ranë në krye të detyrës gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin e Durrësit (7 gusht), për arrestimin e të shumëkërkuarit, Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, 4 oficerët e Policisë së Shtetit u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›