E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Qeveria në Vlorë investoi në Vlorë mbi 600 mln euro, por Rama nuk e pranon realen

TIRANË- Partia Demokratike (PD) deklaroi të shtunën se investimet e saj në Vlorë në infrastrukturë rrugore, në ujësjellësa e kanalizime, në rrjetin energjetik, shkolla, spitale etj, janë mbi 600 milionë euro ose 6 herë më shumë se qeveritë socialiste. Por, sipas PD-së kreu i opozitës nuk e pranon Vlorën reale.

Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi reagoi ndaj deklaratave të sotme të kreut socialist në Vlorë. "Sot Nastradini në krye të PS-së u tall me Vlorën dhe vlonjatët kur lëshoi broçkullën e radhës se, Vlora dhe e gjithë Labëria qenkan izoluar nga Berisha dhe se ai do t’i çlirojë ata nga izolimi. Rama ka të drejtë, sepse ai nuk e njeh dhe nuk e pranon Vlorën reale, por vetëm Vlorën e gënjeshtërt", thuhet në deklaratë.
Sipas zëdhënëses Rama udhëtoi nga Tirana në Vlorë në autostrada me 4 korsi, por për të kjo është Shqipëria dhe Vlora e gënjeshtërt. "Vlora e sotme e Edi Ramës është Vlora e gënjeshtërt, sepse ajo ka një port dy herë më të madh se në kohën kur qeverisnin socialistët. Madje, vetëm pak kilometra nga Vlora e izoluar është dhe një port jahtesh ku janë parkuar edhe jahtet e disa deputetëve të tij", deklaroi zëdhënësja.

Sipas saj Rama i gajasi vlonjatët kur u zotua se do të bllokonte të gjitha ndërtimet pa leje në Vlorë, duke pasur në krah Shpëtim Gjikën, autorin e vetëm të betonizimit të bregdetit të Vlorës.

"Çdo vlonjat e di që investimet e PD-së në Vlorë, në infrastrukturën rrugore, në ujësjellësa e kanalizime, në rrjetin energjetik dhe energji, në fermat dhe fermerët, në shkolla, spitale dhe qendra shëndetësore, janë mbi 600 milionë euro, që do të thotë 6 herë më shumë se qeveritë socialiste dhe se në mandatin e ri Vlora do të shndërrohet në perlën e perlave turistike të Mesdheut", përfundon deklarata e PD-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›