PD: Rama dhe Veliaj, antishqiptarë, janë kundër Rrugës së Kombit
Partia Demokratike, me anë të një deklarate për shtyp, shprehet se kreu i PS-së, Edi Rama dhe sekretari për emigracionin, Erion Veliaj, janë antishqiptarë dhe kundër Rrugës së Kombit.
Edi Rama nëpërmjet lejtnantit të tij, shpërndau në e-maile, facebook e media një shkrim të lobeve antishqiptare mbi Rrugën e Kombit. Në këtë shkrim sërish risillet deklarimi i kreut socialist se kjo është rruga e asgjësë, dhe rruga e panevojshme, apo edhe rrënimi i shqiptarëve.
Me këtë veprim z. Rama tregoi edhe një herë, urrejtjen e tij për rrugën e kombit, rrugën e të gjithë shqiptarëve. Tregoi mashtrimin që bëri vetëm 2 muaj më parë kur u betua se Partia Socialiste nuk ka qënë asnjëherë kundër kësaj rruge, thuhet në deklaratën e PD-së.
Sipas kësaj të fundit, qëndrimet e PS-së synojnë njollosjen e një prej veprave më të rëndësihme në vend. Vetëm dy muaj më pas shpërndau në të gjitha mediat shkrimin e pavlerë për të njollosur kështu veprën më të vyer e më të bukur të shqiptarëve, rrugën e kombit, thuhet në deklaratën e PD.