E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama do hetohet për shkelje të kodit zgjedhor e penal në USA

21-06-2013 / Gazeta 55

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi nëpërmjet një deklarate për mediat nxori sot fakte të reja në lidhje me foton e kryesocilaitit Rama me presidentin e SHBA-ve Obama. Sipas saj, edhe pse Rama e mohon, FBI dhe Komisioni Federal i Zgjedhjeve po hetojnë Edi Ramën për shkelje të kodit zgjedhor dhe kodit penal. “Siç e tha edhe vetë Rama mbrëmë, takimet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk ndodhin rastësisht. Atëherë, si ka mundësi që Rama të qëllojë të jetë në të njëjtin hotel në Kalifornia? Pse u fotografua Rama në të njëjtin udhëtim me Bilal Shehun i cili vetëm pak ditë më parë kishte dhuruar një shumë të konsiderueshme parash në fushatën e Obamës? Vetëm hidhini një sy vetë fotos! Shihni se çfarë ka veshur Shehu në foton me Ramën – ekzaktësisht të njëjtat gjëra që ka veshur edhe me Obamën. Dhe shiheni edhe çfarë ka veshur Rama në foto me Shehun – ekzaktësisht të njëjtat gjëra që ka veshur edhe me Obamën. Sepse këto foto janë bërë në të njëjtën ditë në të njëjtin vend – në Kalifornia, në një event për mbledhje fondesh. Po ashtu, pse në sfond të fotos të Ramës me President Obamën duket drejtuesi i fushatës së Presidentit Obama për mbledhjen e fondeve? Dhe, përse raportet e mediave Amerikane konfirmojnë se fotografia është bërë në eventin e mbledhjes së fondeve të organizuar në San Francisco, për të cilën janë ngritur këto pyetje? Rama mund të mendojë se këto akuza janë “qesharake”, por Kongresi i Shteteve të Bashkuara i merr këto akuza shumë seriozisht. Aq seriozisht, sa ata i bënë thirrje FBI-së dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve të hetojnë Edi Ramën për shkelje të kodit zgjedhor dhe kodit penal”, thekson Vorpsi. Sipas saj, “Kodi Penal Amerikan e thotë qartë se është e paligjshme për një qytetar të huaj të japë donacione për fushata elektorale. Ndërkohë që na rezulton se ky është pikërisht akti që kanë bërë Rama dhe Shehu; e gjitha kjo për një fotografi, e planifikuar për të mashtruar qytetarët shqiptarë. Kjo mund të jetë ideja e Edi Ramës për diplomacinë, por qytetarët duan një lidership të vërtetë dhe jo evazion fiskal, mashtrim dhe korrupsion nga Edi Rama”, përfundoi ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›