PD: Rama i çoroditur, tha se është krenar që në PS ka njerëz me precedentë penal
Deklaratë e zëdhënëses së PD, Laura Vorpsi
“Më i çoroditur se një ditë më parë, Edi Rama tha se është krenar që në Partinë Socialiste ka njerëz që kanë pasur problem me ligjin, njerëz, bëmat e të cilëve i njohin i madh e i vogël.
Edi Rama është krenar që sot në kupolën e Partisë Socialiste gjenden njerëz që janë pasuruar në kurriz të ligjit, që kanë jetuar në kurriz të ligjit, që janë favorizuar nga Rama në kurriz të ligjit kur ai ishte kryetar Bashkie.
Fare hapur, Rama tregoi sot vlerat e reja që përfaqëson lidershipi i PS-së, dhe modelin që ka ndërmend të ndjekë ai.
Me këto deklarata Edi Rama fyen jo vetëm socialistët e ndershëm dhe të zakonshëm që janë shumica e Partisë Socialiste, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë që janë përpjekur të ecin përpara në jetë, jo duke shkelur ligjin, jo duke grabitur, jo duke bërë të fortin, jo duke përfituar miliona dollare tendera dhe leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës”.