E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali Shehu: PD më rrëzoi se jam mik i Bamir Topit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-11-2011 12:27

Tension në komisioni e ekonomisë mes deputetëve të PD dhe kandidaturës së Presidentit për kreun e KLSH-së. Pas referimit të Shehut, debate brenda grupit të mazhorancës. Ja të gjitha batutat...

Mazhoranca ka votuar dje kundër dekretit të presidentit Topi, që propozon ish-deputetin e PD-së, Sali Shehu për kryetar të KLSH-së. Me 11 vota të ish-kolegëve të tij demokratë dhe abstenimin e deputetit Sherefedin Shehu duket se ish-deputeti i PD-së për dy legjislatura në Dibër e ka pothuaj të pamundur një përmbysje të votimit në seancën plenare në Kuvend. Ndërsa opozita nuk u përfshi në debat dhe refuzoi të merrte pjesë në votim me argumentin se është antikushtetuese dhe ky veprim bie ndesh me rregulloren e parlamentit, duke theksuar se vota për anëtarët e institucioneve të pavarura është e fshehtë dhe i takon seancës plenare. Ndërkaq, deputeti socialist Erion Braçe ka theksuar se, nëse kandidatura e Shehut nuk merret parasysh, atëherë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli duhet të nisë bisedimet për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Pasi ka prezantuar sfidat e tij për drejtimin e KLSH-së, Sali Shehu është përballur me një lumë pyetjesh nga mazhoranca, duke e shtrënguar atë të kërkojë 5 minuta pushim për përgatitjen e përgjigjeve.

Pyetje-përgjigjet

Shehu premtoi gjatë fjalës së tij reformim tërësor të KLSH-së, pavarësinë e këtij institucioni nga politika dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit. “Unë mendoj se dhënia e rolit dublues të auditit të brendshëm është një shembull negativ i tendencës për eklipsimin e punës së inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qeveria kurrsesi nuk mund të ketë njëkohësisht ekskluzivitetin e menaxhimit të të ardhurave buxhetore dhe kontrollin për miradministrimin e tyre. Unë mendoj se roli i KLSH-së është mjaft i rëndësishëm, në veçanti duke rritur rolin e tij auditues dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese, për të ngritur grupe pune të përbashkëta kontrolli sidomos me prokurorinë, për të bërë të mundur ndëshkimin e shkelësve të ligjit, qofshin këta zyrtarë të lartë apo të vegjël dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Kjo do të arrihet nëpërmjet tri shtyllave kryesore. E para është reformimi institucional i KLSH në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. E dyta është pavarësia e KLSH-së nga politika në formë dhe në përmbajtje. E treta është lufta pa kompromis kundra korrupsionit në të gjitha format e shfaqjes së tij pavarësisht nga niveli që do të identifikohet”, - deklaroi ai.

Mazhoranca në unison argumentoi votën e saj kundër për kandidatin, me konfliktin e interesit që ai shfaq duke qenë ende anëtar i PD-së. Kreu i komisionit, Edmond Spaho theksoi se kandidatura e Shehut nuk përmbush kriteret profesionale dhe ato ligjore për këtë post. “ Presidenti nuk ka respektuar detyrimin kushtetues për të konsultuar me Parlamentin emërimin e kandidaturës”,- tha Edmond Spaho duke argumentuar votën e tij kundër. Deputeti demokrat, Igli Cara u shpreh për kandidaturën e Shehut se “do doja t’ju kisha në krahë gjithmonë në luftën tonë politike, por ju shoh më mirë në PD”.

Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Flamur Noka theksoi se kandidatura e Shehut përbën konflikt interesi, pasi ai është anëtar i PD-së. Vetë Sali Shehu e ka konsideruar votimin kundër kandidaturës së tij nga ana e mazhorancës për shkaqe politike. “Ky është votim politik. Pse më ka kërkuar Berisha të japë dorëheqjen? Apo sepse në 14 shtator mbrojta institucionet e vendit dhe të nesërmen isha me çadër në dorë në varrimin e Azem Hajdarit? Pse mbrojta shtetin dhe braktisa familjen time, apo se fitova dy beteja të rëndësishme elektorale në Dibër? Ka dy mundësi: kam luftuar hapur ndryshimet kushtetuese, për të cilat koha më dha të drejtë, apo se jam mik i Bamir Topit, por nuk kam ngrënë më shumë se ju këtu bukë në shtëpinë e tij”, - tha Shehu.

Debatet

Braçe: Në qoftë se kandidatura e Shehut nuk merret parasysh, atëherë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli duhet të nisë bisedimet për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë

Kodheli: Është antikushtetues votimi i hapur për emërimet e institucioneve të pavarura. Ne do të votojmë në parlament.

Cara: Do doja t’ju kisha gjithmonë në krah në luftën partiake, por ju shoh më mirë në Partinë Demokratike sesa në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Spaho: Kjo ka të bëjë më konsultimet e presidentit me parlamentin në emërimet e kandidatëve për organet kushtetuese, dhe ne si mazhorancë mendojmë se presidenti nuk e ka respektuar këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një arsye më shumë që mazhoranca të mos jetë dakord me dekretin e Presidentit të Republikës.

Noka: Neni 13 ka një pikë që thotë “papajtueshmëria është në lidhje me të qenit anëtar i qeverisë, i ndonjë organizate apo partie politike. Ju aktualisht jeni anëtar i Partisë Demokratike dhe ne e mirëpresim kontributin tuaj në këtë fushë, por për sa kohë është në konflikt ligjor, ne mendojmë që kandidatura ka problematikë me ligjin.

Harasani: Çfarë ka ndodhur, që ka shumë pyetje të karakterit teknik për zotin Sali Shehu?

Sali Shehu: Nuk më vlerëson mua, ti Flamur aftësitë profesionale....jo, jo, asnjëherë ti!

Sali Shehu: Por ky është votim politik. Pse më ka kërkuar Berisha të jap dorëheqjen? Sepse në 14 shtator kam mbrojtur zyrat e shtetit dhe të nesërmen isha me çadër në dorë në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg? Pse mbrojta shtetin dhe braktisa familjen time, apo se fitova dy beteja të rëndësishme elektorale në Dibër? Ka dy mundësi: kam luftuar hapur ndryshimet kushtetuese, apo se jam mik i Bamir Topit, por nuk kam ngrënë më shumë se ju këtu bukë në shtëpinë e tij. Kjo sjellje më sjell në mendje thënien e Jezu Krishtit “fali Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë”.

Kodheli: Ne, vullnetin tonë politik do ta shprehim në seancën parlamentare, ku diskutohen edhe kandidaturat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›