E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama koalicion me kriminelë. Bogdani: Lideri i PS-së gëzohet për çdo krim

27-04-2013 / Gazeta 55

Partia demokratike ka vijuar sërish akuzat ndaj kryetarit të opozitës Edi Rama pas deklarimeve të këtij të fundit për rendin dhe sigurinë në vend, përmes një deklarate për mediat deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani tha se Rama nuk mund të flasë për rendin dhe krimin, kur vetëm pak ditë më parë ai futi në koalicionin e tij partinë e Dritan Dajtit, vrasësin e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, partinë e Arben Frrokut që ekzekutoi komisarin Dritan Lame, partinë e Indrit Dokles dhe kriminelëve të tjerë.


Deklarata për mediat e deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani:


Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama në traditën e nekropolitikës gëzohet për çdo krim. Edi Rama nuk mund të flasë për krimin mbasi në prokurori të vendeve mike, por edhe atë shqiptare ekzistojnë kilometra biseda të tij që faktojnë lidhjen e tij me Aldo Baren, Hakmarrjen për Drejtësi, banda dhe kriminelë të rrezikshëm. Nuk mund të flasë për rendin dhe krimin Z. Edi Rama mbasi vetëm pak ditë më parë ai futi në koalicionin e tij partinë e Dritan Dajtit, vrasësin e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, partinë e Arben Frrokut që ekzekutoi komisarin Dritan Lame, partinë e Indrit Dokles dhe kriminelëve të tjerë. Ai pati sërish dje pafytyrësinë të flasë për sigurinë dhe rendin publik, vetëm pak orë pasi kishte goditur fizikisht, personalisht, në kryeqytetin e Austrisë, në prani të një salle me të ftuar një diplomat shqiptar. Ai e di mirë se shqiptarët, kanë filluar të vënë baste se kë do të godasë, dhunojë Edi Rama fizikisht pas grave dhe diplomatëve. A do të godasë ai infermieret që i ofendoi disa kohë më parë në turet e tij mavi? A do t’i dhunojë ai fizikisht mësueset shqiptare që i etiketoi si të pakualifikuara? A do t’i dhunojë ai vetë policët me dorën e tij, ndryshe nga 21 janari kur urdhëroi të tjerët të godisnin dhe të vinin flakën për të? Shqiptarët tashmë e kanë të qartë se rendin nuk mund ta vendosë një njeri i lidhur kokë e këmbë me krimin, vrasësit dhe trafikantët. Rendin nuk mund ta vendosë një dhunues i çekuilibruar, që është i qetë vetëm kur ulet në tavolinë me kriminelë, ose kur ndërmjetësit e çdo aleance të re që bën janë kontrabandistë. Por nuk është vetëm Edi Rama në koalicionin e majtë që nuk mund t’i shkojë ndërmend të flasë për rendin, sigurinë publike dhe shtetin ligjor. Sajmir Tahiri nuk mund të flasë për shtetin ligjor, sepse babai i tij u arrestua për kontrabandë ilaçesh. Gramoz Ruçi nuk mund të flasë kurrë për krimin dhe rendin sepse i biri ka kryer me dhjetëra vepra penale, madje dhe viktima dhe është i lirë. Arta Dade nuk mund të flasë, sepse i biri mban në kurriz disa plagosje dhe është i lirë. Luiza Xhuvani nuk mund të flasë, sepse i biri vrau në mes të ditës dhe u dënua vetëm me dy vite burg. Kosta Barjaba ka kryer vjedhje dhe është mentori kryesor i Ramës për politikat sociale. Taulant Balla nuk mund të flasë për krimin mbasi ka përdorur pasaportën e tij diplomatike për të mbrojtur trafikantë të drogës dhe realizuar trafiqe. Pjerin Ndreu nuk mund të flasë për rendin mbasi është larguar nga organet e rendit për shkak të lidhjeve të tij me krimin. Shqiptarët e dinë shumë mirë që Z. Rama dhe kupola e Partisë së tij nuk mund të flasin për krimin dhe luftën kundër kriminalitetit, sepse ata janë të lidhur fund e krye me krimin, kontrabandën, trafiqet. Partia Demokratike do të vazhdojë punën për t’i ardhur në ndihmë policisë tonë në luftën kundër krimit dhe me reformat që ndërmerr do t’i japë atij përgjigjen që meriton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›