PD: Rama mashtroi për xhepistin ordiner, Kosta Barjaba prej 20 vitesh eksponent i PS

Partia Demokratike i kërkon kreut të PS të shpjegojë lidhjet e tij me të arrestuarin për vjedhje në SHBA, Kosta Barjaba: “Do denoncojmë zinxhirin lukunisë së aleancës së hajdutëve dhe fundërrinave të Edi Ramës”
Partia Demokratike reagoi sërish dje, pas vendimit të Partisë Socialiste për pezullimin e Kosta Barjabës. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi ka reaguar ashpër lidhur me qëndrimin e PS-së, për Kosta Barjabën, duke e vlerësuar si një mashtrim të pastër të kryesocialistit Edi Rama dhe një tentativë për ta minimizuar dhe censuruar aktin ordiner të xhepistit të partisë së tij. Vorpsi theksoi se Barjaba prej 20 vitesh është eksponent kryesor i PS dhe jo kontribuues vullnetar siç deklaroi PS një ditë më parë. Ndërsa solli në vëmendje se Barjaba ka qenë në listën e kandidatëve të PS, i shtati në qarkun e Vlorës. Ajo shtoi se ende në faqen zyrtare të PS, është urimi i Barjabës drejtuar simpatizantëve socialistë. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke mashtruar qytetarët shqiptarë, u përpoq të lante duart me Sekretarin e tij për Çështjet Sociale dhe Ndihmën Ekonomike Kosta Barjaba, kreu aktin e shëmtuar të vjedhjes në supermarketin Nordstrom së bashku me gruan e tij, Fatbardha Barjaba zëdhënëse e grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës. Zoti Rama nëpërmjet zëdhënësit të tij Tahiri, mashtroi dje shqiptarët duke deklaruar se Sekretari i PS-së, xhepisti ordiner Kosta Barjaba, nuk kishte lidhje me PS-në dhe se atë nuk e kishte thirrur njeri, por kishte ardhur të kontribuonte vetë. Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se ky nuk është distancim nga Sekretari i tij për Çështje Sociale Kosta Barjaba dhe akti i tij i ulët dhe i shëmtuar është një mashtrim i paskrupullt dhe i turpshëm i zotit Rama. Kosta Barjaba prej 20 vitesh është një eksponent kryesor i PS-së. Zoti Rama mashtron kur thotë se xhepisti i tij Barjaba nuk ka lidhje me PS-në, ndërkohë që në listën e deputetëve të Qarkut të Vlorës në zgjedhjet e vitit 2009, z. Rama e ka vendosur Kosta Barjabën të shtatin në listë dhe më pas bëri çdo përpjekje dhe presion për të larguar një tjetër deputet të listës në mënyrë që Kosta Barjaba të futej në Parlament. Sipas z. Rama, Barjaba është futur vetë në listën e deputetëve të PS-së. Rama mashtroi dje shqiptarët kur deklaroi se xhepisti i tij i arrestuar në Kaliforni duke vjedhur në supermarket, nuk kishte lidhje me PS-në, ndërkohë që në faqen zyrtare në internet edhe sot, gjendet i afishuar urimi që Sekretari për Çështjet Sociale të PS-së Kosta Barjaba, u dërgon më dt. 1 janar anëtarëve e simpatizantëve të PS-së për Vitin e Ri nga qelia, madje katër ditë pas burgosjes së tij. Sipas z.Rama në faqen zyrtare të PS-së në internet, xhepisti Barjaba paska vendosur vetë foton e tij së bashku me Ramën dhe urimin e tij nga burgu i Palo Alto. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe mashtrimin publik të zotit Rama për hajdutin e tij Barjaba si dhe përpjekjet e tij të ethshme për të zvogëluar madje edhe censuruar plotësisht këtë akt të shëmtuar në mediat që kontrollon”, u shpreh Vorpsi. Partia Demokratike i kërkon z. Rama të bëjë publike të gjitha lidhjet e tij me Sekretarin për Çështjet Sociale dhe garanton qytetarët se ajo me fakte e dokumente, do të denoncojë të gjithë lukuninë e aleancës së hajdutëve dhe fundërrinave të Edi Ramës.
...