E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të ditur në pritje të eshtrave të heroit

06-01-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Së voni, në Kosovë, u vendos shtatorja e Hasan Prishtinës, kurse më pas, në nëntor të vitit 2012, u ngrit edhe në Tiranë. Ato ditë, Radiotelevizioni i Kosovës kishte transmetuar një dokumentar të Televizionit Shqiptar - TVSH, prodhim i vitit 1977, për sjelljen në Shqipëri nga Selaniku i Greqisë, të  eshtrave të  këtij  personaliteti  nga më të shquarit e kombit. Gazetari  Behar Zogiani, me një telefonatë të menjëhershme, pasi e kishte ndjekur dokumentarin në ekranin e televizorit, më ndërmendi atë vit të largët, dhe një qëndrim gati dy ditësh, me tre burra ndër 31 vetë sa ishim atje së bashku, nga më të zotët në fushën e  vet - Piktori i Popullit Abdyrrahim Buza, Profesor Avni Zajmi dhe ekonomisti Dervish Morina. Qëndrimi me ta, gjatë udhëtimit dhe bujtjen në hotel turizmin e Korçës, mbeti për të mos u harruar.
Ata qenë shumë miq mes tyre. Silleshin të barabartë me njëri -tjetrin, por, edhe pse kjo qe e vërteta, Buza dhe Morina ia kthenin nderimin ca më shumë Profesor Zajmit. Dhe, kjo duhet të vinte prej diferences në moshë. Që të tre qenë të moshuar: Piktori Abdyrrahim Buza i kishte mbushur 72 vjeç. Profesor Avni Zajmi qe shumë e shumë vite më i madh aq sa, po ta  pyesje sa vjeç  je, nuk të tregonte, por njerëzit që e njihnin, ca thoshin se qe 93, ca e zbrisnin deri në 90, por nuk qe hiç më pak se aq. Ekonomisti Dervish Morina ishte pak më i ri se Buza. Dy prej tyre qenë të shkolluar në qytete të famshëm: Profesor Zajmi kishte studiuar në Paris të Francës. Qe kthyer menjëherë në atdhe dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin fizik të shumë brezave, gjë për të cilën ka shkruar gazetari i shquar sportiv dhe historian i sportit shqiptar, Besnik Dizdari. Ai njeri  i ditur, me një  vetdisiplinim të pashoq profesional dhe stil jetese, ishte ngritur ku e ku mbi mësuesin - u kthye në misionar të disiplinës në të cilën qe shkolluar dhe ia  kushtoi  gjithë energjitë e jetës së vet, i mbrujtur me dhuntitë e një konservatori të edukuar cilësisht. Ndërsa Piktori Abdyrrahim Buza gjatë një viti kishte studuar për Arte të Bukura në Torino të Italisë e më pas qe zhvendosur në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences së  famshme.
Abdyrrahim Buzën  kisha rastisur ta njihja drejtpërdrejtë në vitin 1976, kur ishte rreth 71 vjeç,  në kohën që shkruaja librin për luftëtarin e Spanjës Asim Vokshi, të cilin ai e kishte pasur mik. Atë ditë Buza më njohu me studion  në shtëpinë e vet, e cila ishte një galeri e vërtetë që mund ta çonte deri në hutim edhe një piktor. Por, me hollësi më shpjegoi një numër vizatimesh për  luftën e çlirimit të Shkupit. Më pas, me  një përkujdesje të patregueshme për gjithsa biseduam, nxori nga skutat e ruajtjeve të tij të rralla, dhe më fali një skicë që Buza i kishte bërë Asim Vokshit, kur studionte për art ushtarak në Modena të Italisë. Ai vizatim u përdor për ilustrim në libër.
Kurse Dervish Morina, për ata që nuk e njihnin dhe biseda shkiste kah shëndeti i njeriut, do ta merrnin për mjek, aq të shumta i kishte njohuritë. Ai tha se qysh fëmijë erdhi shëndetlig, por dikur kuptoi se për të përballuar luftën e ashpër të jetës, duhej përkujdes shëndetësor dhe, me këtë vetëdije i qe futur leximeve pa ndalim. Sikur të mos zotëroja kulturë shëndetësore, do të kisha vdekur me kohë, tha. Vetëkontrolli njerëzor shembullor, përpikmëria gati numerike si natyrë dhe njohuritë e shumta në mjekësi e çuan të rrokte edhe moshën e katërt.
Dhe, këta tre burra të zot, saç bisedonin seriozisht  me dijet që zotëronin, po  aq nuk mungonte mes tyre humori, sidomos i Buzës, i cili qe njeri me tipare më liberale, ndoshta edhe duke qenë mjeshtër i madh në fushën e artit pamor. Asokohe të kishe një pikturë të tij, por edhe në këto kohëra, do të thoshte të zotëroje një vlerë.
Atë ditë, pasi drekuam së bashku, u zhvendosëm  në kafeterinë e hotel  turizmit në Korçë, në pritje për të udhëtuar për Kapshticë. Nën evokimin që ata i bënin njeriut të madh Hasan Prishtina, i cili kishte thënë në kohën e tij se nuk do ta nënshtronte as ari i gjithë botës, në luftë për çështjen kombëtare shqiptare, ndërkalla këtë pyetje:
- A do të çlirohet Kosova ndonjëherë, dhe kur mund të ndodhë kjo nëse do të ndodhë?
Të tre u vunë në mendime, por Dervish Morina dha një parashikim thuajse profetik: “Kosova do të çlirohet  pasi të vdes Tito, para vitit 2000 dhe me luftë shumë të përgjakshme”. Ajo ditë ishte në fillim të verës të vitit 1977, ndërsa vërtetimi ndodhi në fillim të verës 1999, pas 22 vitesh.
Ndërsa kamarieri vuri filxhanët e kafesë mbi tavolinë, Buza kontrolloi xhepat duke i prekur me të dy  shuplakat. Dhe vërejti që diçka i mungonte për të shijuar kafenë. I bëri kamarierit shenjë me dorë që të avitej.
-A mundesh me shkue me mi ble dy paketa “Diamant” atje përjashtë?
Djali i mori lekët, shkoi, u kthye, la mbi tavolinë paketat dhe mbi to tepricën e parave.
Buza  që e pinte fort duhanin, e  hapi kutinë  me lëvizje të kursyera e të përpikta si njëherë - njëherë, tërhoqi me mjeshtëri një cigare dhe e vuri në buzë, e kalli me shkrepëse, e thithi fort, nxori një shtëllungë tymi  të kaltër nga mushkëritë dhe, atëherë iu kthye filxhanit të kafesë ta hurbte.
-Profesor Buza, - ngacmoi Profesor Zajmi, - ti e di si ka thënë  turku: Ai që e pi duhanin, paret ia jep dyqanxhiut, tymin qiellit, dëmin vetes.
Profesor Zajmi u kthye kah unë:
-Çun, çun, po ti a e pi duhanin?
-Jo, jo, nuk e pi.
-Shumë mirë, shumë mirë. A pranon të futesh në Shoqërinë Anti-tabak?
Kjo  pyetje të linte të habitur, sepse atëherë nuk kishte kurrëfarë reklame kundër duhanit, nuk njihej e dihej në Shqipëri se kishte një ditë botërore kundër duhanit.
-Unë jam në Shoqërinë Anti-tabak përderi sa e neveris pirjen e duhanit.
-Shumë mirë çun, shumë mirë çun, - tha dhe futi dorën në një xhep të brendshëm në fund të palës së majtë të xhaketës. Prej aty  nxori një bllok të vogël, pak më i madh se një kuti shkrepëse.
-Si e ke emrin çun?
Ia thashë dhe e shkroi, për t’ia shtuar  më pas një liste të gjatë emrash që ai e mbante. Ai qe kthyer në një misionar të papaguar të edukimit fizik dhe shëndetësor të njeriut.
Buza duke e thithur cigaren me ëndje pas drekimit, Zajmi në mision të paepur për  të kundërshtuar pirjen e duhanit, Morina një urryes i vesit të duhanpirjes - ndërkaq ishin miq të mëdhenj.
Buza ia ktheu Zajmit me humor:
-Profesor, ti pa duhan, unë me duhan, njëlloj do të rrojmë.
Zajmi iu përgjigj me një humor horror: “Ata që e pinë duhanin, edhe mbi varr do t’u dalë përpjetë një fjollë tymi”.
Ndërkohë, dikush lajmëroi: erdhi koha të nisemi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›