E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama, mosmirënjohje ndaj shqiptarëve që vizitojnë vendin

25-04-2012 / Gazeta 55

Shqipëria, destinacioni turistik kryesor i planetit

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me deklaratat e Ramës për turizmin.
Sipas zëdhënëses së kësaj force politike Silvi Bardhi, “Edi Rama sot (dje) ironizoi turizmin duke e quajtur atë si etnik në një tryezë të mbledhur gjoja për Turizmin, por që në të vërtetë del se e ka mbledhur për skafet për të cilat ka paraqitur dhe ligjin për rikthimin e tyre”.
Partia Demokratike e ka quajtur kreun socialist mosmirënjohës ndaj shqiptarëve që vizitojnë vendin e tyre gjatë verës.
“Lidhur me ironizimin e turizmit etnik nga ju Edi Rama, tregon thjesht mosmirënjohjen e tij ndaj atyre qindra mijëra shqiptarëve që vijnë gjatë verës nga rajoni dhe mbarë Europa për të kaluar pushimet duke shijuar dhe shplodhur me bukuritë mahnitëse të dheut të tyre të dashur. Ne jemi krenarë me ta dhe shumë mirënjohës për zgjedhjen që i bëjnë Shqipërisë për të kaluar pushimet dhe i sigurojmë se do të bëjmë edhe më shumë për t’i kënaqur sa më shumë ata”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.
Ndërkaq Partia Demokratike gjithashtu i kujton Edi Ramës shifrat e krahasueshme të rritjes së numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë. Kjo sipas zëdhënëses së PD-së, sepse Shqipëria pavarësisht nga balta dhe pluhuri hedh Edi Rama çdo ditë, është shpallur çdo vit nga agjencitë turistike më prestigjioze, si destinacion turistik kryesor i planetit.
“Partia Demokratike gjithashtu i kujton Edit Ramës se nga 300 mijë turistë dhe vizitorë që erdhën në Shqipëri në vitin 2004, vitin që kaloi vendi priti mbi 4 milionë turistë dhe vizitorë dhe se miliona prej tyre vinin nga dhjetëra vende të të gjitha kontinenteve të botës. Kjo sepse Shqipëria pavarësisht nga balta dhe pluhuri që hidhni çdo ditë mbi të, është shpallur çdo vit nga agjencitë turistike më prestigjioze, si destinacioni turistik kryesor i planetit. Bumi i jashtëzakonshëm turistik, pra rritja e numrit të turistëve, nga 300 mijë në vitin 2004 në mbi 4 milionë në vitin 2011, ndodhi pikërisht në vitet në të cilat kjo mazhorancë e shndërroi Shqipërinë nga Skafo-Republikë Socialiste, në të bukurën e dheut, destinacionin kryesor turistik të botës”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›